Advertisement

Ledion Balla, i riu nga Librazhdi që u shfaq në pamje duke u mbajtur hopa nga efektivët e policisë gjatë protestës në Tiranë, ka dhënë dëshminë e tij nga Spitali i Traumës. Ai pretendon se nuk ishte pjesë e protestës dhe se u lëndua pasi u shty nga policia.

Protesta që zgjati më shumë se shtatë orë u shoqërua me përplasje të dhunshme mes policisë dhe protestuesve, ndërsa disa persona përfunduan në spital. Pamjet e Ledion Ballës, me këmbën e dëmtuar dhe duke u transportuar nga efektivët, u shpërndanë gjerësisht në rrjetet sociale.

Reklame

I pyetur nga gazetarët teksa transportohej me barelë në Spitalin e Traumës, i riu tregoi se kishte qenë në një kafene duke ndjekur një ndeshje futbolli, pasi po zhvillohej Champions League. Sipas dëshmisë së tij, ai u largua kur pa policët që po vinin me vrap, por gjatë lëvizjes u shty dhe pësoi dëmtimin në këmbë.

Dëshmia e Ledion Ballës:

“Po shikoja një ndeshje futbolli se ka Champions League dhe ishim në kafe. Nuk kam lidhje me protestën. U çova nga kafja se po vinin policët me vrap. Po ecja pak me vrap dhe më shtyn dhe këmba më kapi në cep të trotuarit dhe iu thashë m’u thye këmba dhe nuk reagon.”

Pas publikimit të pamjeve të të riut, Policia e Shtetit njoftoi pezullimin nga detyra të katër efektivëve dhe shefit të Rendit në Komisariatin nr. 1. Për rastin ka nisur hetimi disiplinor nga Drejtoria e Standardeve Profesionale, ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me Prokurorinë, ka nisur hetimet.

Rrethanat e plota të incidentit dhe përgjegjësitë konkrete pritet të përcaktohen nga hetimet.

Lexo edhe

PAMJE TË RËNDA NGA PROTESTA/ Policia tërheq zvarrë protestuesin gjatë shoqërimit

PAMJE TË RËNDA NGA PROTESTA/ I riu me këmbë të thyer merret nga policia, dyshohet se është në gjendje të rëndë

Reklame