Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar pas përfundimit të mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, ku u diskutua vijimi i Reformës Administrativo-Territoriale.
Balla deklaroi se nuk e kuptoi qëndrimin e Partisë Demokratike për fazën e dytë të reformës, duke pretenduar se përfaqësuesit e opozitës u larguan nga salla pa dëgjuar përgjigjet e mazhorancës.
Ai i bëri thirrje PD-së që të reflektojë dhe të marrë pjesë në punën e Komisionit të Posaçëm, duke theksuar se procesi duhet të vijojë me diskutime edhe për çështjet që kanë mbetur pa zgjidhje.
“Uroj që deri të enjten të ketë reflektim. Kolegia iku pa dëgjuar përgjigjen për diskutimin që është bërë në korrik”, u shpreh Balla.
Balla: Në fillim u miratua harta, më pas u trajtuan çështjet e tjera
Gjatë deklaratës së tij, Balla iu referua edhe procesit të reformës territoriale të vitit 2014, duke argumentuar se fillimisht u miratua harta dhe më pas puna vijoi me çështje të tjera, përfshirë kuadrin ligjor dhe financat vendore.
Sipas tij, edhe faza e re duhet të shërbejë për të trajtuar funksionimin e pushtetit vendor dhe për të diskutuar propozimet që mund të përmirësojnë reformën.
“Edhe në 2014-ën në fillim kemi votuar hartën, pastaj kemi punuar për katër shtyllat e tjera, përfshi kuadrin ligjor dhe financat vendore”, deklaroi kreu i grupit parlamentar socialist.
Balla përmendi gjithashtu ligjin për rajonet, të miratuar në vitin 2020, duke theksuar se për këtë çështje mund të zhvillohet diskutim dhe të shqyrtohen propozime të ndryshme.
“Bujrum, hajdeni, mos e lini karrigen bosh”
Kreu i grupit parlamentar të PS-së këmbënguli se opozita duhet të jetë pjesë e procesit, edhe për të vijuar propozimet që ka bërë më herët lidhur me reformën territoriale.
Ai tha se mazhoranca e kishte bërë të qartë që më parë gatishmërinë për të vijuar punën në komision dhe ftoi demokratët të mos e bojkotojnë atë.
“Opozita, edhe për të qenë koherente me ato që kanë kërkuar e propozuar, duhet ta vazhdojë”, u shpreh Balla, duke shtuar: “Bujrum, hajdeni, mos e lini karrigen bosh”.
Thirrja e Ballës vjen në një kohë kur Partia Demokratike ka shprehur kundërshtime ndaj mënyrës se si u zhvillua faza e parë e reformës, duke pretenduar se propozimet e opozitës nuk u morën parasysh.
Faza e dytë parashikon shqyrtimin e kuadrit ligjor për vetëqeverisjen vendore, kompetencave të bashkive, financave vendore dhe zhvillimit rajonal, pas miratimit të ndarjes së re territoriale që parashikon reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46.
Mbetet për t’u parë nëse deri të enjten do të ketë një ndryshim të qëndrimit të opozitës dhe nëse palët do të arrijnë të gjejnë një rrugë bashkëpunimi për vijimin e procesit.
Lexo edhe














