Një 52-vjeçar shqiptar, i dënuar dy herë me nga 25 vite burgim për tri vrasje të kryera në qarkun e Shkodrës, është arrestuar në Nju-Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Bëhet fjalë për Valentin Ftonin, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare që prej vitit 2001.
Sipas Policisë së Shtetit, kapja e tij u bë e mundur pas një pune të gjatë hetimore dhe bashkëpunimit me agjencitë ligjzbatuese amerikane, përfshirë Shërbimin e Marshallëve të SHBA-së (USMS), Agjencinë e Emigracionit dhe Doganave (ICE) dhe strukturën DSS/OCIU, e pranishme në Ambasadën amerikane në Shqipëri.
Sipas të dhënave të bëra publike nga Policia e Shtetit, më 28 shtator 2001, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër e dënoi Valentin Ftonin me 25 vite burgim për vrasje me paramendim, të kryer në bashkëpunim, si dhe për armëmbajtje pa leje.
Vendimi lidhej me vrasjen e bashkëshortëve Gjelosh dhe Ardiana Markangjarje e ndodhur më 19 shtator 2000 në Ças të Velipojës. Sipas policisë, krimi ishte kryer për motive gjakmarrjeje.
Ndërsa më 18 nëntor 2008, ai u dënua sërish me 25 vite burgim për vrasjen e një shtetasi tjetër, Tom Gaci më 12 gusht 2001, si dhe për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.
Dyshime për identitete të rreme në SHBA
Hetimet, sipas Policisë së Shtetit, kanë ngritur dyshime se pas largimit nga Shqipëria, Ftoni ka përdorur dokumente të dyshuara të falsifikuara dhe të paktën dy identitete të rreme për të hyrë ilegalisht në territorin amerikan.
Po ashtu, dyshohet se në SHBA ka përdorur edhe një identitet tjetër të rremë, të marrë nga një vend i Amerikës Qendrore.
Pritet ekstradimi drejt Shqipërisë
Policia e Shtetit bëri të ditur se po vijon koordinimin me autoritetet amerikane për përfundimin e procedurave të ekstradimit të Valentin Ftonit drejt Shqipërisë, ku ai duhet të vuajë dënimet e dhëna nga drejtësia shqiptare.
Rasti është prezantuar nga policia si rezultat i bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër kriminalitetit dhe i koordinimit mes strukturave shqiptare dhe agjencive ligjzbatuese të SHBA-së.
.
Lexo edhe
Ku po shkon arsimi në këtë vend! Tema e diplomës, tashmë blihet me 400 euro
Policia në Shkodër nuk fal! 1006 gjoba në një javë, pezullohen 8 patenta














