Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka hedhur akuza të forta ndaj qeverisë Rama lidhur me aktivitetin e KAYO, TIMAK dhe TIMAK Defence, duke kërkuar hetim nga SPAK për mënyrën se si janë përdorur fondet publike të destinuara për industrinë e mbrojtjes.
Xhixho pretendon se 34 milionë euro të dhëna nga buxheti i shtetit për armët dhe industrinë e mbrojtjes janë orientuar drejt aktiviteteve të tjera, duke përmendur në mënyrë të veçantë aktivitetin e hipizmit në Equos Resort.
Sipas deputetes, në këtë histori shfaqen emrat e biznesmenëve Ron Yeffet dhe Ergys Agasi, të cilët, sipas saj, lidhen përmes një rrjeti marrëdhëniesh biznesi me TIMAK, KAYO, TIMAK Defence dhe Equos Resort.
“34 milionë eurot e dhëna Ron Yeffetit ngrenë një pyetje themelore: ku kanë përfunduar paratë publike të destinuara për industrinë e mbrojtjes?”, shprehet Xhixho.
Dokumentet e magazinës, Xhixho ngre pikëpyetje
Deputetja ndalet edhe te një tender ndërkombëtar në Ukrainë, ku pretendon se TIMAK ka paraqitur dokumentacion për përdorimin e një magazine.
Bëhet fjalë për ish-Uzinën e Pjesëve të Këmbimit të Automjeteve, pasuri që, sipas Xhixhos, me vendim të Këshillit të Ministrave të 12 marsit 2025, i kaloi në pronësi KAYO-s.
Xhixho pretendon se më 13 korrik 2025, kjo pasuri është paraqitur në dokumentacionin e tenderit si pjesë e kapaciteteve të TIMAK.
Një muaj më vonë, në gusht 2025, u krijua TIMAK Defence, ku KAYO u bë aksionere dhe, sipas pretendimit të deputetes, kontribuoi pikërisht me këtë pasuri.
“Si u përdor një pasuri shtetërore në dokumentacionin e një kompanie private? Kush e lejoi? Kush përfitoi?”, pyet Xhixho.
Kërkohet hetim nga SPAK
Deputetja e PL-së e lidh gjithashtu çështjen me aktivitetin e Equos Resort dhe pretendon se fondet e sektorit të mbrojtjes janë orientuar drejt aktivitetit të hipizmit.
Xhixho kërkon që SPAK të hetojë rrjedhën e parave dhe të verifikojë kontratat, dokumentacionin, transfertat financiare dhe pasuritë që lidhen me kompanitë e përmendura.
“SPAK duhet të ndjekë paratë. Të kontrollojë çdo kontratë, çdo dokument, çdo transfertë dhe çdo pasuri”, deklaron ajo.
Në fund të deklaratës, Xhixho kërkon që hetimi të shtrihet edhe te kryeministri Edi Rama, duke pretenduar se lidhjet e personave të përmendur me pushtetin burojnë prej tij.
Pretendimet e mësipërme janë deklarime dhe akuza politike të Erisa Xhixhos. Ato kërkojnë verifikim nga organet kompetente dhe nuk përbëjnë konstatime gjyqësore. Për çdo person apo subjekt të përmendur vlen parimi i prezumimit të pafajësisë deri në një vendim të formës së prerë.

Lexo edhe
Afera KAYO/ Kush është Aleks Marku që BKH i sekuestroi telefonin
Prona e KAYO-S në dokumentet e TIMAK, Këlliçi: Si u përdor për tenderin në Ukrainë?














