Tiranë, 1 shtator 2026 – 17 vatra zjarri janë raportuar gjatë ditës së sotme në territorin e Shqipërisë, ndërsa sipas Ministrisë së Mbrojtjes, 4 prej tyre vijojnë të jenë aktive.
Në përditësimin e orës 20:00 bëhet e ditur se 11 vatra janë shuar plotësisht, ndërsa 2 të tjera janë nën mbikëqyrje.
Për përballimin e situatës janë angazhuar 164 forca operacionale dhe 13 automjete zjarrfikëse. Në operacione janë përfshirë gjithashtu Forcat e Armatosura me 90 efektivë dhe 2 helikopterë.
Katër vatrat aktive
Situata vijon të jetë aktive në Dajt, Vajkal, Lundre dhe Therepel.
Në Dajt, vijon ndërhyrja në drejtim të Qafë-Priskës, ku janë angazhuar 68 forca. Sipas autoriteteve, nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Vajkal të Bulqizës, zjarri vijon në një terren shkëmbor. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, flakët kanë përshkuar mbi 13 hektarë, ndërsa në operacion janë angazhuar 48 forca. Edhe në këtë zonë nuk raportohet rrezik për banesat.
Në Lundre, bashkia Mat, situata po favorizohet nga era. Në terren janë strukturat vendore, vullnetarë, 30 efektivë të Forcave të Armatosura dhe një helikopter.
Ndërsa në Therepel të Skraparit, operacioni po zhvillohet me forca të MZSH-së nga Skrapari, Berati dhe Poliçani, vullnetarë dhe një helikopter të Forcave të Armatosura.
Dy vatra nën mbikëqyrje
Ndërkohë, vatrat në Qafën e Lugut–Vithkuq dhe në malin e Qukësit–Prrenjas janë vendosur nën mbikëqyrje.
Autoritetet bëjnë të ditur se këto vatra nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë vendin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e Mbrojtjes Civile.
Forcat operacionale mbeten në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje, me prioritet mbrojtjen e jetës së qytetarëve, banesave dhe pasurisë.
Lexo edhe:
Zjarret vijojnë në Shqipëri, 4 vatra aktive! Situata më problematike në Dajt dhe Vajkal
Zjarret vijojnë në Shqipëri, 4 vatra aktive! Situata më problematike në Dajt dhe Vajkal















