Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka publikuar bilancin e veprimtarisë për muajin korrik 2026, duke raportuar një sërë procedimesh, referimesh në Prokurori, ankesash dhe procedurash disiplinore ndaj punonjësve të policisë dhe strukturave të tjera.

Sipas të dhënave të publikuara nga AMP, gjatë muajit korrik janë kryer 54 referime në Prokurori për 54 punonjës policie. Prej tyre, 15 punonjës janë të nivelit të parë drejtues, 39 janë punonjës policie të nivelit zbatues, ndërsa në 11 raste bëhet fjalë për shtetas.

Reklame

11 persona të arrestuar në flagrancë

Gjatë muajit korrik, strukturat e AMP-së kanë kryer edhe arrestime në flagrancë të 11 personave, konkretisht 8 punonjës policie dhe 3 shtetas.

Sa i përket veprave penale të referuara, AMP bën me dije se 54 çështjet penale janë klasifikuar në disa kategori.

Mes tyre janë 14 çështje për shpërdorim detyre, me 15 subjekte dhe 6 shtetas, si dhe 10 çështje për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, me 5 subjekte dhe 1 shtetas.

Gjithashtu, janë referuar raste të tjera që lidhen me shpifjen dhe favorizimin e veprimtarive të kundërligjshme, si edhe vepra të tjera penale me dashje apo nga pakujdesia.

3 inspektime gjatë korrikut

AMP raporton se gjatë muajit korrik kanë qenë në proces 3 inspektime.

Nga këto, një inspektim ka qenë i planifikuar, ndërsa dy të tjera kanë qenë të paplanifikuara dhe janë kryer në funksion të veprimtarisë së përditshme të Agjencisë.

6 punonjës përballen me hetim disiplinor

Në kuadër të procedurave disiplinore, Komisioni Disiplinor ka vendosur fillimin e hetimit disiplinor për 6 punonjës policie, për shkelje të rënda.

Për një tjetër punonjës policie është vendosur mosfillimi i hetimit disiplinor, pasi shkelja është konsideruar e parashkruar.

Ndërkohë, për 26 punonjës të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit (MNZSH), Komisioni Disiplinor është në fazën e shqyrtimit të dokumentacionit.

111 ankesa të trajtuara

Një pjesë e rëndësishme e bilancit lidhet me ankesat e qytetarëve.

Gjatë korrikut janë trajtuar gjithsej 111 ankesa, prej të cilave:

  • 15 raste janë bazuara;
  • 62 ankesa janë pabazuara;
  • 32 raste nuk janë provuar;
  • 2 raste janë hapur dosje penale.

Përveç tyre, AMP ka regjistruar edhe 160 ankesa administrative gjatë muajit.

420 telefonata në AMP

Në korrik janë regjistruar gjithashtu 420 telefonata në strukturat e Agjencisë.

Sipas AMP-së, 253 telefonata kanë ardhur brenda fushës së veprimtarisë së Agjencisë, 104 kanë qenë jashtë fushës së saj, ndërsa 63 telefonata kanë dhënë informacion.

AMP thekson se vijon të marrë dhe trajtojë denoncimet e qytetarëve përmes kanaleve të saj të komunikimit.

Lexo edhe:

Dënohen me nga 9 muaj burg dy ish-zyrtarët e AMP-së për shpërdorim detyre

Durrës/ AMP sekuestron armën e efektivit të policisë, verifikohet lidhja me të kërkuarin nga SPAK

Reklame