Bordi i Transparencës ka vendosur këtë të enjte çmime të reja për karburantet në vend, të cilat hyjnë në fuqi menjëherë, nga ora 13:00 e datës 21 maj 2026.
Sipas vendimit të publikuar pas mbledhjes së radhës së Bordit:
- Çmimi i naftës (gazoil SSH EN 590) do të shitet me pakicë jo më shumë se 197 lekë/litër, ndërsa me shumicë jo më shumë se 185 lekë/litër.
- Çmimi i benzinës do të jetë jo më shumë se 186 lekë/litër për shitjen me pakicë dhe 174 lekë/litër për shitjen me shumicë.
Bordi thekson se këto çmime do të mbeten në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme, ku do të reflektohen ndryshimet e reja të tregut ndërkombëtar.
Në njoftim paralajmërohen operatorët e tregtimit të karburanteve për zbatimin e detyrueshëm të vendimit, ndërsa në rast shkeljesh është paralajmëruar pezullim i aktivitetit.
“Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit”, thuhet në reagimin zyrtar.
Ndërkohë, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, së bashku me Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë deklarojnë se mbeten të angazhuara për mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në treg.
Në sqarimin shoqërues, Bordi nënvizon se çmimet aktuale janë nën kufijtë e përcaktuar nga Akti Normativ nr.1, datë 3 prill 2026, çka do të thotë se për karburantet do të vijojë të aplikohet akciza e plotë në nivelin 100%.
Sipas aktit normativ, reduktimi i akcizës në 80% do të zbatohej vetëm në rast se:
- nafta kalon mbi 220 lekë/litër
- benzina kalon mbi 200 lekë/litër.















