Advertisement

Kreu i Partia Demokratike e Shqipërisë, Sali Berisha, ka reaguar ashpër pas bllokimit total të segmentit rrugor Librazhd–Prrenjas, situatë që sipas tij “ka ndarë Shqipërinë në dy territore të papërshkueshme”.

Berisha hodhi poshtë pretendimet se dëmtimi i rrugës ka ardhur si pasojë e kushteve atmosferike, duke e lidhur situatën drejtpërdrejt me korrupsionin dhe ndërhyrjet e paligjshme në shtratin e lumit.

Reklame

“Rrugën nuk e shembi moti, por e shembi korrupsioni”, – u shpreh ai.

Kryedemokrati akuzoi drejtpërdrejt ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, si dhe ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, për papërgjegjshmëri dhe lejim të ndërhyrjeve, që sipas tij, kanë çuar në degradimin e aksit.

Sipas Berishës, bllokimi i rrugës është “vepër totale e paligjshmërisë dhe korrupsionit”, duke theksuar se ndërhyrjet në shtratin e lumit janë bërë pa modelin e studiuar dhe pa kriteret e domosdoshme teknike.

Deklarata vjen në një moment kur aksi Librazhd–Prrenjas mbetet i bllokuar për qarkullimin e mjeteve, duke krijuar vështirësi të mëdha për qytetarët dhe bizneset që lëvizin mes juglindjes dhe pjesës tjetër të vendit.

Reklame