Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku ndodhet prej 5 orësh në Kryeministri në një takim me Kryeministrin Edi Rama, pas vendimit të GJKKO që i caktoi masën e sigurimit personal “Pezullimi i ushtrimit të një detyre publike” dhe masën e ndalimit të daljes jashtë shtetit.
Burime bëjnë me dije se Balluku pretendon se pezullimi është shkelje e Kushtetutës dhe se kjo gjykatë nuk ka kompetencë për të marrë vendimin.
Prej dy orësh, takimit i është bashkuar edhe deputeti dhe ish-ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, për të dhënë opinion juridik mbi rastin.
Dy javë më parë, Balluku u mor e pandehur nga SPAK për shkelje të barazisë në tendera gjatë ndërtimit të tunelit të Llogarasë, projekt me vlerë rreth 190 milionë euro, ku dyshohet se ka paracaktuar fituesin në kundërshtim me kriteret e prokurimit publik.
Sot SPAK njoftoi se Balluku është nën hetim edhe për tenderin e lotit të katërt të Unazës së Madhe.















