TIRANË – Situata e zjarreve në Shqipëri vijon të mbetet në monitorim, me 34 vatra të raportuara gjatë 24 orëve të fundit. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, 5 vatra mbeten aktive, ndërsa 2 të tjera janë nën mbikëqyrje.
Për përballimin e situatës janë angazhuar 481 forca operacionale dhe 44 automjete zjarrfikëse. Në mbështetje të strukturave vendore janë vënë në dispozicion edhe 105 efektivë të Forcave të Armatosura, 2 automjete zjarrfikëse të FA-së, 3 helikopterë dhe 1 avion AIR TRACTOR.
Vatrat aktive janë të përqendruara kryesisht në qarqet Tiranë dhe Dibër.
Dajti, vijon ndërhyrja pas riaktivizimit të vatrave
Në malin e Dajtit vijon puna për shuarjen e tre vatrave të riaktivizuara. Në terren janë angazhuar 25 forca zjarrfikëse dhe të AZM-së, së bashku me 20 efektivë të Forcave të Armatosura.
Dibra, disa vatra ende aktive
Në qarkun Dibër vijojnë aktive vatrat në Qafë të Helmës, Vajkal, Sllatinë dhe Komsi.
Në Vajkal janë angazhuar aktualisht 61 forca, mes tyre 30 efektivë të Forcave të Armatosura. Në Sllatinë operojnë 78 forca, ndërsa në Komsi janë angazhuar edhe 25 efektivë të FA-së.
Sipas raportimit të autoriteteve, nuk ka rrezik për zonat e banuara në këto vatra.
Dy vatra nën mbikëqyrje në Elbasan
Në qarkun Elbasan, vatrat në Malin e Dardhës dhe Malin e Qukësit janë nën mbikëqyrje. Autoritetet bëjnë me dije se ato nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara.
Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme janë kryer ndërhyrje të konsiderueshme në Tërbaç dhe Vranisht të Himarës, ku u angazhuan forca tokësore, dy helikopterë dhe një avion AIR TRACTOR. Të dyja vatrat janë deklaruar të fikura.
Edhe në Xhyrë të Librazhdit u ndërhy me forca tokësore dhe një helikopter të Forcave të Armatosura, ndërsa vatra është shuar.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë territorin e vendit, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e Mbrojtjes Civile.
Kapacitetet operacionale mbeten në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.
Lexo edhe:
Zjarret/ 10 vatra në 24 orë, 7 mbeten aktive! Flakët në Dajt, Dibër, Vlorë, Gjirokastër dhe Korçë
Zjarri përfshin dhjetëra hektarë në Dragot, flakët rrezikojnë pyjet dhe banesat














