Advertisement

Kryeministri Edi Rama, gjatë podkastit “Flasim”, ka deklaruar se sektori i ndërtimit ndodhet në një proces të vazhdueshëm përmirësimi, si rezultat i ndërhyrjes aktive të Ministrisë së Financave dhe administratës tatimore për të frenuar informalitetin, i cili sipas tij ka goditur për vite me radhë në mënyrë të padrejtë familjet e punonjësve të këtij sektori.

Rama theksoi se rezultatet e kësaj qasjeje janë tashmë të dukshme, pasi fondi i pagave dhe i kontributeve shoqërore e shëndetësore ka shënuar rritje domethënëse, duke reflektuar një deklarim më real të pagave në ndërtim.

Reklame

Sipas Kryeministrit, administrata tatimore ka ndërmarrë një fushatë të drejtpërdrejtë kontrolli dhe ndërgjegjësimi, duke dërguar rreth 15 mijë mesazhe të personalizuara për subjektet e këtij sektori. Si efekt i drejtpërdrejtë i kësaj ndërhyrjeje, për rreth 18 mijë të punësuar, fondi i pagave është rritur me 9%, ndërsa kontributet shoqërore dhe shëndetësore me 4%.

Një tjetër tregues shqetësues i informalitetit, sipas Ramës, ka qenë përqendrimi artificial i pagave në fashën 500 euro, fenomen që tashmë po zbehet ndjeshëm. Paralelisht, është vërejtur një rritje e fortë e pagave mbi 700 dhe mbi 1 mijë euro, deri në 18%, si dhe një rritje mbi 10% e pagave mbi 1 200 euro.

“Këto shifra janë tregues të qartë jo vetëm se pagat janë rritur ndjeshëm, por mbi të gjitha se ekonomia informale po tkurret ndjeshëm,” – u shpreh Rama, duke theksuar se lufta ndaj informalitetit do të vijojë me të njëjtin intensitet.

Megjithatë, ndërsa qeveria flet për rritje pagash dhe formalizim, një pjesë e aktorëve të tregut shprehin shqetësime për presionin në rritje fiskal dhe kostot për bizneset e ndërtimit, duke paralajmëruar se kontrolli i fortë duhet shoqëruar me politika mbështetëse për të mos goditur ritmin e investimeve dhe punësimit në sektor.

Reklame