Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, deklaroi se Shqipëria nuk duhet të rrëshqasë në destabilitet, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se po mbron korrupsionin dhe po rrezikon të ardhmen europiane të vendit.
Në një prononcim përpara Parlamentit, Noka theksoi se opozita nuk do të ndalet dhe se protestat do të vijojnë me intensitet edhe më të madh deri në arritjen e një zgjidhjeje politike.
“Protesta do të vazhdojë edhe më e fortë se kurrë deri me gjetjen e zgjidhjes politike. Ne nuk do ndalemi. Revolta do vijë duke u shtuar dhe dihet që revoltës,” u shpreh Noka.
Ai deklaroi se skenari i opozitës është ai i “revoltës dhe përballjes”, duke përdorur tone të ashpra ndaj institucioneve kryesore të shtetit.
“Ne kemi dy godina që janë shndërruar në godina të krimit. Narkokryeministria ku fshihet kusari dhe kusarët dhe narkoparlamenti që është i marrë peng nga narkokryeministri. Nga këto dy institucione buron e keqja e çdo shqiptari sot e 13 vite. Nuk kemi as orare, as gjë tjetër përveç përballje dhe qëndresë,” deklaroi numri dy i selisë blu.
Deklaratat e Nokës vijnë në një klimë të tensionuar politike, ndërsa Partia Demokratike ka paralajmëruar vijimin e aksionit opozitar kundër qeverisë në ditët në vijim.














