Advertisement

Ministria e Mbrojtjes ka përditësuar situatën e zjarreve në vend, duke bërë të ditur se deri në orën 16:00, 8 vatra mbeten aktive në qarqet Tiranë, Fier, Durrës, Gjirokastër dhe Dibër.

Në operacionet për përballimin e situatës janë angazhuar 165 forca operacionale dhe 85 efektivë të Forcave të Armatosura. Në mbështetje të ndërhyrjeve në terren janë zhvilluar 7 misione ajrore me helikopterë dhe 2 misione me avionë Air Tractor.

Reklame

Dajti dhe Priska e Madhe

Në Dajt, në bashkinë Tiranë, është riaktivizuar zjarri në pyllin me pisha, mbi tunelet e Qafë Mollës.

Në terren janë angazhuar 22 forca të MZSH-së dhe ADZM-së Tiranë, ndërsa operacioni është mbështetur edhe nga një helikopter i Forcave të Armatosura.

Në Priskë të Madhe vijon puna për shuarjen e zjarrit. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Patos/ Zjarri riaktivizohet në Drenie

Në Drenie, bashkia Patos, zjarri i cili ishte vënë nën kontroll është riaktivizuar në thellësi të pyllit.

Ndërhyrja po mbështetet nga dy avionë Air Tractor, ndërsa autoritetet raportojnë për përmirësim të situatës.

Krujë/ Dy vatra aktive

Në Krujë vijon puna në dy vatra aktive.

Në lagjen Abaze, zjarri është përhapur i favorizuar nga era, por aktualisht nuk paraqet rrezik për zonat e banuara.

Në Krastë–Halil, situata ishte përkeqësuar në orët e para të mëngjesit, duke rritur rrezikun për banesat. Ndërhyrja me dy helikopterë ka ndihmuar në normalizimin e situatës, ndërsa forcat në terren vijojnë punën për shuarjen e plotë të zjarrit.

Përmet/ Dy vatra në male

Në malin e Nëmerçkës, në bashkinë Përmet, vijon operacioni për shuarjen e zjarrit. Vatra nuk paraqet rrezik për zonat e banuara.

Ndërkohë, një vatër e re është evidentuar në malin Dhëmbel, mbi fshatin Badilonjë, ku forcat zjarrfikëse po punojnë për shuarjen e saj.

Dibër/ Zjarr në Gurë-Lurë

Në Gurë-Lurë, bashkia Dibër, është evidentuar një zjarr në një sipërfaqe me pyll pishe dhe kullotë.

Forcat në terren po punojnë intensivisht për izolimin dhe shuarjen e vatrës.

AKMC dhe strukturat e mbrojtjes civile vijojnë të jenë në gatishmëri të plotë, ndërsa monitorojnë dhe koordinojnë operacionet në të gjitha zonat e prekura, me fokus të veçantë te vatrat që paraqesin rrezik për përhapje dhe zonat e banuara.

Lexo edhe:

Mallakastër/ Situata e zjarreve nën kontroll, rikthehet normaliteti në 4 fshatra

Zjarri përfshin Parkun Kombëtar Lurë–Mali i Dejës, flakët përhapen nga era

Reklame