Ministria e Mbrojtjes ka bërë përditësimin e situatës së zjarreve në vend deri në orën 17:00 të 21 gushtit 2026. Sipas të dhënave zyrtare, janë regjistruar 24 vatra zjarri, prej të cilave 8 vijojnë aktive, 4 janë nën mbikëqyrje dhe 1 nën kontroll.

Në operacionet për përballimin e situatës janë angazhuar të paktën 639 forca, nga të cilat 369 janë pjesë e strukturave vendore dhe rajonale dhe 270 efektivë të Forcave të Armatosura.

Reklame

FA po mbështesin operacionet me 5 automjete zjarrfikëse, 4 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.

Pukë, situata më e rënduar, digjen 4 banesa

Një nga zonat më problematike vijon të jetë Gojan–Gjegjan–Tërbun në Pukë, ku janë angazhuar 255 forca dhe 11 mjete zjarrfikëse.

Në operacion marrin pjesë efektivë të MZSH-së, punonjës të Shërbimit Pyjor, shërbimeve vendore, vullnetarë, banorë të zonës dhe 53 efektivë të Forcave të Armatosura. Operacioni mbështetet edhe nga dy helikopterë.

Situata është përmirësuar në disa zona pyjore të Gojanit, por zjarri vijon të jetë aktiv në drejtim të Gojanit të Vogël dhe zonës së Prozhemit.

Më e rënduar paraqitet situata në lagjen Pepaj, Gojan i Madh, ku flakët janë afruar pranë banesave.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, 4 banesa të pabanuara janë djegur, ndërsa një banesë e banuar që ishte në rrezik është shpëtuar. Për mbrojtjen e banesave janë dislokuar 5 mjete zjarrfikëse dhe 30 efektivë ushtarakë. Ndërhyrja nga ajri vijon me një helikopter.

Evakuime në Mirditë

Në Shtanë, Mirditë, zjarri është përhapur duke krijuar rrezik për banesat.

Për këtë arsye, Policia e Shtetit ka kryer evakuimin e banorëve të rrezikuar. Në zonë është vendosur edhe një ambulancë, ndërsa operacioni mbështetet nga dy helikopterë dhe dy mjete zjarrfikëse të Forcave të Armatosura.

Zjarri në Dukat vijon, por banesat nuk rrezikohen

Në Dukat të Vlorës, operacioni vijon me forca zjarrfikëse, punonjës të shërbimit pyjor, forca të Njësisë Administrative Orikum dhe 40 efektivë të FA-së.

Ndërhyrja nga toka po mbështetet nga dy avionë Air Tractor. Zjarri është përhapur në drejtim të malit, por aktualisht nuk ka rrezik për banesat.

Dajt, vijon izolimi i vatrave

Në Dajt të Tiranës po vijon puna për izolimin e vatrave të mbetura. Në operacion janë angazhuar 30 efektivë të FA-së, 13 efektivë të MZSH-së, 9 forca të AZM-së dhe një helikopter.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, një pjesë e vatrave janë izoluar plotësisht dhe nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Mal Milot, zjarri shuhet dhe zona vihet nën mbikëqyrje

Në Mal Milot, Kurbin, zjarri është shuar pas ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse, policisë, strukturave bashkiake dhe Forcave të Armatosura.

Zona tashmë është vendosur nën mbikëqyrje për të parandaluar riaktivizimin e flakëve.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë vendin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e Mbrojtjes Civile.

Lexo edhe:

Zjarret në Shqipëri, 7 vatra aktive: situata më problematike në Pukë

Zjarret në Shqipëri: 20 vatra në 24 orë, 9 aktive – evakuohen banorë në Pukë

Reklame