Ministria e Mbrojtjes ka informuar mbi situatën e zjarreve në Shqipëri gjatë 24 orëve të fundit, ku janë raportuar 20 vatra zjarri, prej të cilave 9 vijojnë aktive, ndërsa një tjetër është në monitorim.
Në operacionet për menaxhimin e situatës janë angazhuar 235 forca operacionale dhe 33 automjete zjarrfikëse, të mbështetura nga 140 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.
Situata në zonat kryesore
Gojan–Gjegjan, Pukë
Situata mbetet problematike për shkak të erës së fortë dhe terrenit të thyer. Forcat operacionale janë përqendruar në mbrojtjen e banesave, ndërsa është kryer edhe evakuimi i banorëve.
Operacioni është mbështetur nga 40 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 3 helikopterë.
Mal Milot, Kurbin
Vatra vijon të jetë aktive, por për momentin rreziku për banesat është eliminuar. Në terren ndodhen forca zjarrfikëse, ushtarake dhe bashkiake.
Për menaxhimin e situatës është kërkuar përforcim me forca dhe mjete të Forcave të Armatosura.
Dajt, Tiranë
Në Dajt është riaktivizuar vatra e zjarrit, por aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në operacion janë angazhuar strukturat e MZSH-së, AZM-së dhe Forcave të Armatosura, me mbështetjen e një helikopteri.
Dukat, Vlorë
Zjarri në zonën e Shatës është zgjeruar gjatë natës në drejtim të malit.
Në terren po operojnë forcat vendore, 40 efektivë të Forcave të Armatosura dhe dy avionë Air Tractor. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, aktualisht nuk rrezikohen banesat.
Ballaxhiaj, Memaliaj
Zjarri është nën kontroll dhe larg banesave, pas ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse, policisë dhe vullnetarëve.
Për arsye sigurie, disa banorë janë evakuuar.
Vatra të tjera aktive
Vatra aktive janë raportuar edhe në Kalivaç, Shtuf, Gjorm të Sipërm dhe Hotolisht.
Ndërkohë, vatra në Lufaj të Mirditës është nën kontroll dhe monitorim.
AKMC vijon monitorimin e situatës
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të monitorojë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.
Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.
Lexo edhe:
Zjarret në Shqipëri/ 25 vatra në 24 orë, 4 mbeten aktive – ja zonat ku vijon ndërhyrja
Zjarret në Shqipëri, 7 vatra aktive: situata më problematike në Pukë














