Ministria e Mbrojtjes ka bërë përditësimin e situatës së zjarreve në vend, duke njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 25 vatra zjarri.
Sipas informacionit zyrtar, 4 vatra mbeten aktive, ndërsa një tjetër është nën monitorim.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 350 forca operacionale dhe 26 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 140 efektivë, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.
Vatrat kryesore aktive janë në Dajt dhe Priskë në Tiranë, Lufaj në Mirditë dhe Tërbun në Pukë.
Në Dajt, operacioni për shuarjen dhe izolimin e zjarrit vijon me 50 efektivë të Forcave të Armatosura, 15 zjarrfikës dhe 5 forca të strukturave të zonave të mbrojtura. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Ndërkohë, në Tërbun të Pukës vijon angazhimi i strukturave vendore, vullnetarëve dhe Forcave të Armatosura, me mbështetjen e dy helikopterëve. Edhe në këtë zonë nuk raportohet rrezik për banesat.
Situata paraqitet në përmirësim edhe në disa prej zonave të prekura nga zjarret gjatë ditëve të fundit. Gurë-Lura, Bruçi në Mat, Tharri në Mirditë dhe zjarri në Selenicë janë shuar plotësisht.
Në Qafë Helmes vijon monitorimi dhe ndërhyrja nga forcat lokale.
Strukturat e Mbrojtjes Civile vijojnë monitorimin dhe ndërhyrjet në terren, me fokus izolimin e plotë të vatrave aktive dhe mbrojtjen e zonave të banuara.
Lexo edhe :
Zjarret në Shqipëri/ 24 vatra në 24 orë, 7 mbeten ende aktive















