Advertisement

Prokuroria e Përgjithshme i ka përcjellë Kuvendit qëndrimin e saj mbi projektligjin për pagat e magjistratëve, duke vlerësuar se në formën aktuale ai nuk garanton zbatimin e plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Në një shkresë zyrtare drejtuar Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Prokuroria e Përgjithshme ka shprehur qëndrimin e saj lidhur me projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016 ‘Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë’”.

Reklame

Prokuroria thekson se, në mungesë të një drafti formal të përcjellë zyrtarisht për konsultim, qëndrimi është bazuar në versionin e projektligjit të publikuar në muajin korrik 2026 në faqen zyrtare të Kuvendit, si dhe në diskutimet publike të zhvilluara.

Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, projektligji “në parim nuk garanton zbatimin e plotë dhe efektiv” të Vendimit nr. 15, datë 17 shkurt 2026, të Gjykatës Kushtetuese, si dhe të standardeve kushtetuese të përcaktuara në të.

Një tjetër shqetësim i ngritur lidhet me mënyrën e përcaktimit të pagave në nivelet e ndryshme të sistemit të drejtësisë.

Prokuroria vlerëson se projektligji “krijon diferenca të pajustifikuara dhe jo harmonike mes niveleve të ndryshme të gjykatave dhe prokurorive”.

Qëndrimi i Prokurorisë së Përgjithshme i është përcjellë Kuvendit në kuadër të diskutimeve për ndryshimet ligjore që lidhen me pagat dhe statusin e magjistratëve.

Lexo edhe:

PD kërkon seancë dëgjimore për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve: “Të dëgjohen institucionet e drejtësisë”

Debati për pagat e magjistratëve/ Komisioni i Ligjeve miraton draftin e PS-së, kundërshtohet nga KLP, KLGJ dhe opozita

Reklame