Operacioni “Shkollat e pastra” i Policisë së Shtetit ka çuar në ekzekutimin e masave të sigurisë “arrest në burg” për 31 persona, ndërsa 14 të tjerë janë shpallur në kërkim, në kuadër të një hetimi për shpërndarjen e lëndëve narkotike, veçanërisht në afërsi të institucioneve arsimore.
Operacioni është zhvilluar me fokus te goditja e shpërndarjes së drogës pranë shkollave, me qëllim rritjen e sigurisë së nxënësve.
Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka vlerësuar punën e Policisë së Shtetit dhe bashkëpunimin me Prokurorinë gjatë këtij operacioni.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Demo e cilësoi operacionin “Shkollat e pastra” si rezultat të bashkëpunimit institucional, hetimit profesional dhe përdorimit të metodave speciale të hetimit.
Sipas ministrit, goditja e shpërndarjes së lëndëve narkotike, veçanërisht në zonat pranë shkollave, mbetet një prioritet i Policisë së Shtetit në Tiranë dhe në të gjithë vendin.
“Në çdo shkollë, në çdo qytet, në çdo cep të Shqipërisë, Policia e Shtetit do të jetë aty për të garantuar sigurinë e fëmijëve tanë”, është shprehur Demo.
Operacioni “Shkollat e pastra” vjen në kuadër të aksioneve kundër shpërndarjes së narkotikëve në ambiente dhe zona të frekuentuara nga të rinjtë.
Lexo edhe
Parashikimi i motit për ditën e sotme. Kthjellime dhe vranësira
Horoskopi ditor 27 Shtator 2026. Parashikimi i yjeve për secilën shenjë













