Ka përfunduar seanca e radhës në procesin gjyqësor ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili po gjykohet në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” në dy raste.
Vetë Mediu nuk ishte i pranishëm në seancën e kësaj të marte për shkak të angazhimeve institucionale, por u përfaqësua nga avokatët e tij mbrojtës, Henrik Ligori dhe Ardian Visha.
Gjatë seancës, mbrojtja paraqiti kundërshtimet ndaj akuzave të ngritura nga SPAK, duke argumentuar se nuk ekziston asnjë veprim individual i ish-ministrit që ta lidhë atë me përgjegjësi penale.
Sipas avokatëve, përgjegjësitë e strukturave tekniko-administrative të Shtabit të Përgjithshëm, komandave ushtarake dhe MEICO-s nuk mund t’i atribuohen ministrit të Mbrojtjes.
“Transferimi i përgjegjësive të hallkave tekniko-administrative të Shtabit të Përgjithshëm, komandave dhe MEICO-s tek ministri është arbitrar”, argumentuan mbrojtësit gjatë seancës.
Ata shtuan gjithashtu se pretendimet e Prokurorisë së Posaçme nuk mbështeten në prova faktike që të provojnë përgjegjësinë penale të Mediut.
Pas përfundimit të seancës, trupa gjykuese vendosi ta shtyjë procesin për në datën 16 qershor, kur pritet që ish-ministri dhe mbrojtja e tij të vijojnë paraqitjen e kundërshtimeve ndaj akuzave.
Procesi ndaj Mediut lidhet me hetimet për tragjedinë e Gërdecit, një nga çështjet më të rëndësishme dhe më të debatuara të drejtësisë shqiptare.














