Advertisement

Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë ka dalë kundër disa prej ndryshimeve të propozuara nga Këshilli i Ministrave në Kodin e Procedurës Penale, duke ngritur shqetësimin se nisma mund të ndikojë në efikasitetin e hetimeve.

Në një qëndrim zyrtar, Shoqata shprehet se mbështet në parim reformat që synojnë përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian, por kërkon që ndryshimet të bazohen në analiza të plota dhe konsultime transparente me të gjithë aktorët e sistemit të drejtësisë.

Reklame

Sipas prokurorëve, disa nga parashikimet e reja mund të krijojnë barriera procedurale për mbledhjen e provave dhe të kufizojnë instrumentet hetimore të prokurorit. Në veçanti, ata kundërshtojnë vendosjen e detyrimeve të reja për sekuestrimet, duke argumentuar se një ndërhyrje e tillë mund të zhvendosë kompetenca hetimore drejt gjykatës dhe të fragmentojë procesin e hetimit.

Një tjetër shqetësim lidhet me sekretin hetimor. Shoqata vlerëson se detyrimi për vënien në dispozicion të të pandehurit të të gjitha provave që në fazat e hershme të procedimit mund të dëmtojë hetimet, veçanërisht në çështjet që lidhen me krimin e organizuar dhe hetimet proaktive.

Prokurorët kundërshtojnë gjithashtu kufizimet e propozuara për masat e sigurimit personal, duke argumentuar se ato mund të vështirësojnë parandalimin e arratisjes, prishjes së provave apo përsëritjes së veprës penale.

Sipas Shoqatës, ndryshimet mund të ndikojnë edhe në hetimet e zgjeruara, pasi formulimet e reja rrezikojnë të kufizojnë mundësinë e prokurorit për të hetuar vepra të tjera që zbulohen gjatë të njëjtit procedim.

Kritika ka edhe për parashikimin e papërdorshmërisë automatike të provave për shkelje formale. Shoqata kërkon që në këto raste të merret në konsideratë edhe rëndësia e shkeljes dhe ndikimi real i saj në proces.

Në qëndrimin e saj, Shoqata kundërshton gjithashtu përfshirjen e një regjimi autonom disiplinor për magjistratët në Kodin e Procedurës Penale, duke argumentuar se përgjegjësia disiplinore rregullohet nga kuadri kushtetues dhe ligji organik.

Në përfundim, Shoqata e Prokurorëve i bën thirrje Qeverisë dhe Kuvendit që të garantojnë transparencë të plotë, të publikojnë studimet shoqëruese dhe të zhvillojnë një konsultim të gjerë publik përpara miratimit të ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale.

Lexo edhe

Takimi Rama–von der Leyen/ Protestuesit përplasen me policinë në bulevard, një i shoqëruar

Vilson Bala në SPAK për dosjen Agasi/ Drejtori i Policisë së Korçës thirret nga prokurorët

Reklame