Profili i presidentit të ardhshëm të Kosovës ishte në qendër të diskutimeve mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, gjatë takimit të zhvilluar të martën në mbrëmje.

Liderët e dy partive, Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku, nuk bënë publikë emra konkretë pas takimit, duke deklaruar se kandidaturat do të diskutohen fillimisht me strukturat e partive të tyre.

Reklame

Megjithatë, gjatë takimit mësohet se janë përmendur emrat e profesorit Ibrahim Berisha dhe ish-nënkryetarit të Kuvendit Krahinor në vitet ’90, Iljaz Ramajli.

Ibrahim Berisha dhe Iljaz Ramajli, dy emrat e përmendur

Profesori Ibrahim Berisha ka refuzuar të përfshihet në diskutimet për kandidaturën për president, duke deklaruar se fokusi i tij mbetet te kultura, letërsia dhe komunikimi.

Edhe familjarët e Iljaz Ramajlit kanë bërë të ditur se ai nuk do të pranojë të jetë kandidat për president.

Ndërkohë, diskutimi për profilin e presidentit të ardhshëm vijon mes dy partive politike.

Sipas analistit Arnbor Sadiku, Vetëvendosje po kërkon një figurë që nuk do të përbëjë sfidë politike për Albin Kurtin.“Lëvizja Vetëvendosje po kërkon një president i cili është, le të themi, jo ambicioz në politikë, por një njeri që pothuajse i ka skaduar karriera dhe si i tillë nuk i bën konkurrencë z. Kurtit, por është më tepër si rojtar i shtëpisë”, tha Sadiku.

Kurti dhe Abdixhiku do të propozojnë emra konkretë

Pas takimit, Kurti dhe Abdixhiku janë pajtuar që në takimin e ardhshëm të propozojnë emra konkretë për presidentin e Kosovës.

Megjithatë, njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë mbeten skeptikë për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje.

Sipas analistit Sadiku, ekziston pak shpresë për një zgjidhje, pasi, sipas tij, qëndrimet e Vetëvendosjes tregojnë se partia më e madhe mund të synojë që vendi të shkojë sërish në zgjedhje.

Kosova ende pa president të zgjedhur

Kosova ndodhet me ushtrues detyre të presidentit që prej përfundimit të mandatit të Vjosa Osmanit.

Moszgjedhja e presidentit të ri çoi vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme më 7 qershor, ndërsa situata institucionale vijon të mbetet e bllokuar.

Edhe Kuvendi i Kosovës nuk është konstituar brenda afatit kushtetues, duke bërë që vendi të mbetet pa institucione funksionale dhe duke e komplikuar më tej procesin për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm.

Lexo edhe:

Kuvendi i Kosovës/ PDK dhe AAK sfidojnë Avni Deharin, kërkojnë rinisjen e seancës në orën 11:00

Kriza politike në Kosovë, PDK i bllokon sërish derën Kurtit para qeverisë: Është uzurpator

Reklame