AKU-ja bllokoi ngarkesën me certifikata false dhe e ktheu në Brazil, por Murataj, i njohur për 1.5 ton kokainë të zhdukur e 119 kg të kapur në kontenierët e tij, nuk është prekur as këtë herë. A do të vijojë të rrijë si ‘pulë’ nën këmbët e trafikantit?

Përveç trafikut të kokainës, të kryer nën maskën e importit të bananeve nga Ekuadori, Trifon Murataj ka filluar dhe kontrabandën e tonelatave të mishit nga Brazili me dokumente false.

Reklame

Më 25 nëntor 2026, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit bllokoi në Portin e Durrësit 54 ton mish pule me origjinë nga Brazili, të futur në Shqipëri nga kompania “ZICO”, e njohur si “Bana King”, në pronësi të trafikantit Trifon Murataj.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vendosi që sasia e mishit të kthehet në Brazil, sepse të dhënat e certifikatave shoqëruese të tij nuk përputheshin me të dhënat në sistem, pra ishin false.

Arsyeja tjetër lidhet me faktin që ishte kontrabandë, mbasi prej 3 shtatorit 2026 Shqipëria ka ndaluar importin e mishit nga Brazili, me vendim të BE-së për shkak të rrezikut ndaj konsumatorit.

Në këtë rast, kontrabandisti dhe trafikanti Trifon Murataj i “Bana King”, nëpërmjet marifeteve të zbatuara shpesh me kokainën, ka siguruar hyrje të lirë të konteinerëve me 54 ton mish pule kontrabandë në Portin e Durrësit.

Po pas informacioneve nga agjencitë europiane të sigurisë ushqimore, ngarkesa ka ndeshur në kontrollin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, që ia bllokoi dhe e detyroi ta rikthejë në Brazil.

Trifon Murataj mendoi se edhe për mishin nga Brazili do të paguante nën dorë e do ta fuste në treg, siç ka vepruar me tonelatat e kokainës të futura në kontenierët e bananeve që sillte nga Ekuadori, të cilat i kalonte lirisht në Portin e Durrësit, në bashkëpunim me policinë, doganën, kompaninë e skanimit, SHISH-in dhe drejtuesit e Portit.

Sipas informacionit që disponon “Pamfleti”, rezulton se nëpërmjet kompanisë së tij “ZICO-Bana-King”, Trifon Murataj ka 13 vite që fut në Shqipëri tonelata mishra nga Brazili, duke përdorur dokumente false të cilësisë, sigurisë e sasive, madje ka futur edhe pas datës 3 shtator 2026, kur është bllokuar importi i mishit nga Brazili.

Ndërsa drejtësia nuk ka vepruar ndaj trafikantit të “Bana King”, as për ngarkesat e mishit të pulës të futura kontrabandë; siç ka qëndruar “pulë” në rastet e kapjes së kokainës në Durrës.

Pyetja që bëhet është kjo: A do të kallëzohet penalisht për kontrabandë Trifon Murataj nga Ministria e Bujqësisë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe Drejtoria e Doganave?

Rastet e trafikimit të kokainës me kontenierët “Bana King”

Nën maskën e aktivitetit të “Bana King”, Trifon Murataj ka ngritur dhe drejton një rrjet të sofistikuar të trafikut ndërkombëtar të kokainës, duke e përdorur Portin e Durrësit.

Referuar të dhënave të siguruara nga “Pamfleti”, si dhe burimeve nga brenda sistemit të drejtësisë, dalin në dritë fakte të rënda që konfirmojnë mbrojtjen shtetërore të këtij trafikanti.

Dhe raportet e SHISH-it, Drejtorisë së Antitrafikut e agjencive ndërkombëtare DEA e Europol kanë skeduar kompaninë “ZICO-Bana King” si mbulesën logjistike të rrjetit të Muratajt.

^ Më 31 dhjetor 2021, në kontenierët e “Bana King” u kapën 119 kg kokainë, por Trifon Murataj nuk u prek nga policia e drejtësia.
^ Më 17 korrik 2022, u zhdukën 50 arka me rreth 1.5 ton kokainë nga kontenieri i “Bana King”, por Trifon Murataj nuk u prek.
^ Më 4 nëntor 2022, u kapën 35.5 kg kokainë në portin e Durrësit, në kontenierin e “Bana King”, por Trifon Murataj nuk u prek.
^ Më 8 dhjetor 2023, një kontenier i “Bana King” me 1 ton kokainë kaloi pa kontroll e doli lirisht nga Porti i Durrësit, ndërsa Trifon Murataj nuk u prek./Pamfleti

Lexo edhe

27 tonë mish nga Brazili, shpërthen skandali në AKU: Shkarkohen 4 inspektorë

AKU bllokon 54 ton mish pule nga Brazili, refuzohen edhe 25 ton produkte gruri në Morinë

Reklame