Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për 49-vjeçarin Ylli Zalla, i arrestuar pak ditë më parë në zonën e Fushë-Krujës.
Gjatë seancës gjyqësore, Zalla ka mohuar akuzat dhe ka deklaruar se nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen e Rinasit.
“Jam përgojuar kot, nuk kam asnjë lidhje me ngjarjen e Rinasit. Armët nuk janë të miat, janë gjetur në repart ushtarak”, mësohet të ketë deklaruar ai përpara gjykatës.
Zalla akuzohet zyrtarisht për mbajtje të armëve dhe municioneve pa leje. Ai u arrestua pas një operacioni policor në fshatin Zallë të Fushë-Krujës, pas disa muajsh në kërkim.
Emri i tij ishte përmendur në raportime edhe në lidhje me atentatin e Rinasit, por në njoftimin zyrtar të Policisë, akuza ndaj tij lidhet me armëmbajtjen pa leje.
Gjykata, pas dëgjimit të pretendimeve të palëve, vendosi që Zalla të qëndrojë në burg deri në vijim të hetimeve.
Lexo edhe:
Ylli Zalla i shpëton RENEA-s, arratiset në pyll gjatë operacionit në Krujë
Arrestohet Ylli Zalla në Krujë, ishte i armatosur me kallashnikov – u mbajt nën vëzhgim me dron














