Advertisement

Pasditen e sotme ka mbërritur në Këshillin e Lartë Gjyqësor shkresa zyrtare e Prokurorisë së Përgjithshme për gjyqtaren e GJKKO-së, Irena Gjoka, e dënuar në Greqi për falsifikim vize.

Prokuroria e Përgjithshme ka përfunduar hetimin e thelluar për figurën e gjyqtares dhe i ka përcjellë materialet KLGJ-së, institucion që do të vendosë për fatin e saj. Shkresa pritet të shqyrtohet fillimisht nga Komisioni i Zhvillimit të Karrierës pranë KLGJ dhe më pas t’i kalojë mbledhjes së anëtarëve për vendimmarrje.

Reklame

Një ditë më parë, Prokuroria e Përgjithshme konfirmoi se vendimi i Gjykatës së Janinës, i marrë në korrik të vitit 2005, për dënimin e Irena Gjokës për falsifikim vize, është i vërtetë dhe autentik. Pas një procesi verifikimi që ka zgjatur rreth dy vite, çështja i është referuar zyrtarisht Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Lidhur me këtë zhvillim, ka reaguar edhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili në një konferencë për mediat theksoi se u verifikuan denoncimet e bëra prej tij që në mars të vitit 2024. Berisha përdori tone të ashpra ndaj gjyqtares, duke e cilësuar atë si “falsifikatore” me vendim gjyqësor.

“Irena Gjoka ka vendim penal në Greqi, si falsifikatore, si dhe dy dëbime nga shteti fqinj dhe zona Shengen. Ajo është një falsifikatore e certifikuar, me vendim gjyqësor, vepër për të cilën është dënuar me burg, më pas të konvertuar në gjobë. Ky vendim penal ka marrë formë të prerë”, deklaroi Berisha.

Ai shtoi se Gjoka është dëbuar dy herë nga Greqia, më 24.12.2002 dhe më 12.02.2003, masa që sipas tij kanë marrë gjithashtu formë të prerë. Berisha akuzoi gjyqtaren se ka qenë në dijeni të plotë të këtyre vendimeve dhe se i ka fshehur ato në formularin e vetdeklarimit.

“Vesi i falsifikimit del me shpirtin. Gjoka vazhdoi falsifikimet e saj në drejtësinë shqiptare si gjyqtare në Gjykatën e Krimeve të Rënda dhe më pas në GJKKO. Ajo nuk ka raportuar dënimet e veta pranë KLGJ, siç kërkohej në ligjin e vitit ’96 për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, u shpreh kreu i PD-së.

Tashmë pritet vendimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor, i cili do të përcaktojë nëse gjyqtarja Irena Gjoka do të vijojë apo jo detyrën në sistemin e drejtësisë.

Reklame