Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka reaguar pas gjetjeve të FMN-së për arsimin, aftësitë dhe emigrimin në Shqipëri, duke e cilësuar situatën si një “emergjencë kombëtare”.
Xhixho thotë se Shqipëria po përballet me një problem serioz në formimin e profesionistëve që do t’i nevojiten ekonomisë në vitet e ardhshme.
Sipas saj, vendi ka rezultate të dobëta në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës, ndërsa problemet e evidentuara në arsimin bazë po shfaqen edhe në aftësitë që të rinjtë marrin me vete në tregun e punës.
“FMN ngre alarmin: Shqipëria po mbetet pa profesionistët që do të ndërtojnë ekonominë e së ardhmes”, shkruan Xhixho.
Në raportin e tij për Shqipërinë, FMN thekson se rezultatet e nxënësve shqiptarë në testet PISA janë nën mesataren e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të Bashkimit Europian. Fondi vëren gjithashtu mangësi në burimet e shkollave dhe numrin e mësuesve të kualifikuar, ndërsa arsimi profesional është i pranishëm vetëm në 20 nga 61 bashki.
Një nga shqetësimet e ngritura në raport lidhet me aftësitë që i duhen ekonomisë shqiptare për të rritur produktivitetin.
FMN argumenton se zgjerimi i kurrikulave në fushat STEM – shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë – do të ndihmonte në rritjen e aftësive dhe punësimit në sektorët me vlerë më të lartë. Fondi rekomandon gjithashtu forcimin e arsimit profesional, zhvillimin e aftësive digjitale dhe një lidhje më të fortë mes institucioneve arsimore dhe sektorit privat.
Për Xhixhon, këto nuk janë probleme të reja.
Ajo i lidh gjetjet e FMN-së edhe me rezultatet e PISA-s në matematikë, të cilat sipas saj tregojnë dobësitë e sistemit arsimor shqiptar dhe mungesën e aftësive bazë analitike te një pjesë e nxënësve.
Një tjetër pikë e fortë e reagimit të deputetes është lidhja mes arsimit, tregut të punës dhe emigrimit.
Sipas FMN-së, emigrimi nga Shqipëria nxitet kryesisht nga mundësitë për punësim dhe kushte më të mira jetese jashtë vendit. Raporti thekson se diferenca e pagave është veçanërisht e madhe për personat me arsim të lartë, ndërsa mangësitë në qeverisje dhe shtetin e së drejtës janë identifikuar në anketime si faktorë shtytës, veçanërisht për punonjësit e kualifikuar.
Xhixho argumenton se kur një i ri nuk sheh mundësi për një punë të mirë, pagë dinjitoze dhe një të ardhme të sigurt, largimi nga Shqipëria bëhet një alternativë gjithnjë e më e fortë.
“Nuk mund të flasim për Shqipëri europiane kur analfabetizmi funksional vetëm rritet dhe të rinjtë largohen sepse nuk shohin të ardhme këtu”, shprehet ajo.
Deputetja e Partisë së Lirisë kërkon investime më të mëdha në arsim, modernizim të kurrikulave dhe forcim të arsimit profesional.
Ajo kërkon gjithashtu më shumë mbështetje për STEM-in, lidhje më të forta mes universiteteve dhe tregut të punës dhe politika që, sipas saj, t’u japin të rinjve arsye për të qëndruar në Shqipëri.
Në fund të reagimit, Xhixho e lidh problemin e arsimit me modelin e zhvillimit ekonomik të vendit.
“Të ardhmen e Shqipërisë nuk e ndërtojnë kullat, betonieret, pastrimi i parave. E ndërtojnë të rinjtë e arsimuar, profesionistët dhe shkencëtarët që zgjedhin të jetojnë e të punojnë këtu”, shkruan ajo.
Sipas saj, humbja e vazhdueshme e të rinjve të arsimuar dhe profesionistëve rrezikon të kthehet në një nga problemet më të mëdha afatgjata për ekonominë shqiptare.
FMN, nga ana tjetër, e vendos arsimin dhe zhvillimin e aftësive në qendër të reformave që nevojiten për rritjen e produktivitetit dhe zbutjen e efekteve negative të emigrimit.
Lexo edhe
“Skandal, Rama e pranon vetë”/ Xhixho: Paratë e pista po hyjnë në ndërtim














