Ksamil – Pas vrasjes së 20-vjeçarit portugez Miguel Mendes në Ksamil, dalin në pah të dhëna të reja mbi strukturën turistike “Principotes”, pranë së cilës ndodhi ngjarja e rëndë.
Struktura luksoze turistike, e pozicionuar përballë tre ishujve të Ksamilit, rezulton të jetë e regjistruar në emër të Kade Bulicës, një 71-vjeçare nga Kukësi, me një kapital të deklaruar prej 100 mijë lekësh.
Sipas të dhënave të publikuara, Kade Bulica është nëna e Bekim Bulicës, një emër i përmendur më herët në kronikat e zeza dhe në disa procedime penale.
Nga “Tortuga Bay” te “Principotes”
Kompania që lidhet me strukturën turistike është regjistruar fillimisht në janar 2022 me emrin “Tortuga Bay”, ndërsa më vonë ka ndryshuar emërtimin në “Principotes”, emri me të cilin njihet aktualisht kompleksi në Ksamil.
Bekim Bulica ka jetuar më herët në Francë dhe është ekstraduar drejt Shqipërisë në shkurt të vitit 2021.
Sipas një njoftimi të Policisë së Shtetit të kohës, Bulica ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi ndaj tij ishte caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Kanosja” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, në lidhje me një ngjarje të vitit 2019 në Kukës.
Në atë rast, sipas autoriteteve, ishte qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të një shtetasi.
Emri i Bulicës u përmend edhe në një tjetër ngjarje në Tiranë
Në shtator të vitit 2023, emri i Bekim Bulicës u përmend sërish në lidhje me një ngjarje të dhunshme në Tiranë.
Sipas raportimeve të kohës, ai dhe disa persona të tjerë dyshohej se kishin sulmuar një punonjës policie dhe vëllain e tij, duke përdorur edhe shkopinj gome.
Për këtë ngjarje, Policia njoftoi arrestimin e një prej personave të dyshuar, ndërsa disa të tjerë, mes tyre edhe Bekim Bulica, u shpallën në kërkim.
“Principotes”, vendi ku ndodhi ngjarja e rëndë
Ndërkohë, “Principotes” është tashmë në qendër të vëmendjes pas ngjarjes së rëndë të mëngjesit të 18 gushtit, ku Miguel Mendes, 20 vjeç, u gjet i pajetë në shezlongët e një plazhi pranë një lokali.
Sipas hetimeve paraprake të Policisë, i riu portugez dyshohet se u godit me thikë pas një konflikti për motive të dobëta.
Për ngjarjen është arrestuar Sokrat Vata, 29 vjeç, i cili u kap rreth pesë orë pas krimit në aksin Levan-Fier. Ai dyshohet se ishte fshehur në bagazhin e një automjeti që drejtohej nga një shtetase turke.
Hetimet për vrasjen vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë, ndërsa autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të dinamikës, motivit dhe rrethanave të ngjarjes.
Lexo edhe:
Moment i arrestimit në Levan/ Kapet pas 5 orësh autori i dyshuar i vrasjes në Ksamil















