Policia e Shkodrës ka arrestuar Luçian Mëhillin, 23 vjeç, i shpallur në kërkim dhe i dyshuar si bashkautor në vrasjen e 33-vjeçarit Valter Fjerza, ngjarje e ndodhur më 21 shtator 2023 në fshatin Hot i Ri.

Kapja e tij u bë në kuadër të operacionit policor të koduar “Target”, në aksin rrugor Shkodër–Prekal, ku po udhëtonte me një automjet tip “Opel”. Në të njëjtën makinë ndodhej edhe 26-vjeçari Kristjan Çarkaj, i cili u arrestua në flagrancë.

Reklame

Sipas Policisë, Çarkaj dyshohet për përkrahje të autorit të krimit dhe për veprimtari në fushën e narkotikëve. Gjatë kontrollit fizik dhe atij në banesën e Mëhillit u gjetën sasi të dyshuara kanabisi dhe kokaine. Policia sekuestroi gjithashtu automjetin dhe dy telefona celularë.

Vrasja pas konfliktit për parkimin e makinës

Ngjarja e rëndë ndodhi më 21 shtator 2023, pas një konflikti për parkimin e një automjeti. Sipas dosjes hetimore, Klevis Fjerza ishte përfshirë në një përplasje me disa persona, mes tyre vëllezërit Klodjan, Paolo dhe Luçian Mëhilli, kushëririn e tyre Aleksandër Mëhilli dhe Enton Dushajn.

Gjatë konfliktit, Klodjan Mëhilli dyshohet se nxori një pistoletë dhe ia drejtoi në gjoks Klevis Fjerzës. Në atë moment ndërhynë dy shokë të tij, Gjok Qukaj dhe Agostin Lugaj, të cilët arritën t’ia hiqnin armën nga dora dhe e hodhën rreth 60 metra larg vendit të ngjarjes.

Pak më vonë, Valter Fjerza u nis drejt vendit të konfliktit me një automjet tip “Nissan Navara”, për të ndihmuar vëllain e tij.

Sipas dosjes hetimore, pasi i ishte marrë pistoleta, Klodjan Mëhilli shkoi te automjeti i tij dhe mori një armë automatike kallashnikov. Me këtë armë dyshohet se qëlloi drejt automjetit ku ndodhej Valter Fjerza, duke e goditur në kokë. 33-vjeçari humbi jetën në vend.

Pas të shtënave, personat e përfshirë në konflikt u larguan nga vendngjarja.

Kush janë personat e përfshirë në dosje?

Në njoftimin e Policisë bëhet me dije se Luçian Mëhilli ishte shpallur në kërkim, pasi ndaj tij ishte caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, për vrasje me dashje në bashkëpunim, armëmbajtje pa leje dhe prodhim e shitje narkotikësh.

Sipas informacionit të dhënë për ecurinë e çështjes, Paolo Mëhilli ishte arrestuar më herët, ndërsa Klodjan Mëhilli, Luçian Mëhilli, Aleksandër Mëhilli dhe Enton Dushaj rezultonin në kërkim.

Policia nuk jep në njoftimin e fundit informacion për kapjen e personave të tjerë të shpallur në kërkim. Materialet procedurale për dy të arrestuarit do t’i referohen Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme.

Lexo edhe

I shpëtoi plumbave 600 metra larg, por u qëllua për vdekje në oborrin e shtëpisë! Detaje të reja nga vrasja e Urim Fikut

Vrasja e Artan Myrtajt në Sarandë, zbardhet historia e hakmarrjeve: Nga atentati në lokal te ekzekutimi mafioz

Reklame