Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Tiranë, ku një i ri 18-vjeçar është arrestuar pasi akuzohet për vjedhjen e një automjeti tip “Volkswagen Jetta” në rrugën “Hajdar Hidri”, duke mashtruar rojën e një parkingu privat.
Sipas policisë, i riu me iniciale A. L. prezantoi veten si pronar i automjetit për të marrë çelësat dhe për t’u larguar.
Pas denoncimit të vjedhjes, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 nisën menjëherë hetimet. Falë veprimeve të shpejta, autori u identifikua dhe u arrestua, ndërsa automjeti i vjedhur u gjet në fshatin Valias dhe u sekuestrua si provë materiale.
18-vjeçari dyshohet se ka përdorur mashtrimin me qëllim përfitimin e automjetit, duke shfrytëzuar momentin kur roja i parkingut i besoi se makina ishte e tij.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme lidhur me veprën penale të vjedhjes.
Njoftimi:
Vodhi 1 automjet, duke mashtruar rojën e vendparkimit në rrugën “Hajdar Hidri”, se ishte pronari i automjetit, identifikohet dhe arrestohet 18-vjeçari.
Gjendet në Valias, dhe sekuestrohet automjeti i vjedhur, tip “Volkswagen Jetta”.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, menjëherë pas njoftimit se në një vendparkim për automjete, në rrugën “Hajdar Hidri”, ishte vjedhur nëpërmjet mashtrimit, 1 automjet tip “Volkswagen Jetta”, organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe policore, u identifikua dhe u arrestua autori i dyshuar i vjedhjes, shtetasi A. L., 18 vjeç, banues në Tiranë. Gjithashtu, u gjet në fshatin Valias, automjeti i vjedhur.
18-vjeçari dyshohet se me qëllim vjedhjen, ka shkuar te vendparkimi i automjeteve, ku ka mashtruar rojën e subjektit, se do të merrte automjetin e tij.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.













