Detaje të reja janë mësuar nga vrasja e 46-vjeçarit Ismet Habili, i cili u gjet i pajetë mbrëmjen e kësaj të marte brenda automjetit të tij në zonën e Komunës së Parisit, pranë stadiumit “Selman Stërmasi” në Tiranë. Sipas të dhënave paraprake, viktima është qëlluar me armë zjarri në pjesën e sipërme të trupit, ndërsa një nga pistat që po ngrihet është përdorimi i një arme me silenciator.

Dyshimet për përdorimin e silenciatorit lidhen me faktin se, sipas informacioneve paraprake, nuk janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri në zonën ku ndodhi ngjarja. Megjithatë, kjo pistë mbetet për t’u verifikuar nga grupi hetimor dhe nuk është konfirmuar zyrtarisht nga Policia.

Reklame

Si u zbulua vrasja?

Ngjarja u zbulua pasi një qytetar njoftoi Policinë për një automjet të dëmtuar në rrugë. Pas mbërritjes në vendngjarje, efektivët konstatuan brenda makinës tip “Volvo” trupin e pajetë të Ismet Habilit.

Sipas njoftimit paraprak të Policisë, sinjalizimi u mor rreth orës 20:20, më 20 tetor, në rrugën “Mihal Popi”, në zonën e bllokut “1 Maji”.

Fillimisht, rasti u raportua si një automjet i aksidentuar, por konstatimi i 46-vjeçarit pa shenja jete dhe dyshimet për plagë të shkaktuara nga arma e zjarrit e orientuan hetimin drejt një vrasjeje të dyshuar.

Hetimet për autorin dhe motivin

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për të zbardhur dinamikën e plotë të ngjarjes. Deri më tani, nuk janë bërë publike të dhëna zyrtare për autorin e dyshuar apo motivet e mundshme të krimit.

Hetuesit pritet të analizojnë provat e mbledhura në vendngjarje dhe të verifikojnë rrethanat në të cilat është qëlluar viktima.

Vrasja e Ismet Habilit mbetet në hetim, ndërsa priten informacione të tjera nga autoritetet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Lexo edhe

Ekzekutohet me armë zjarri në Tiranë, gjendet i pajetë 46-vjeçari brenda një makine “Volvo” (EMRI)

“KU ËSHTË BABI IM?”/ Britmat e 18-vjeçarit në vendngjarje, kërkon të atin e gjetur të vrarë në makinë

Reklame