Gjykata e Lartë ka rrëzuar këtë të mërkurë, 21 janar, rekursin e Gjon Shkëmbit, i përfshirë në çështjen e rëndë të vrasjes së gjyqtarit të Apelit Astrit Kalaja, duke lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg”.
Gjon Shkëmbi është xhaxhai i Elvis Shkëmbit, autorit të dyshuar të vrasjes së gjyqtarit, dhe akuzohet se ka pasur rol nxitës në kryerjen e krimit. Ai ka mohuar vazhdimisht akuzat, duke pretenduar se nuk ka shtyrë nipin e tij drejt aktit kriminal.
Të gjitha shkallët e gjyqësorit i thanë “jo”
Shkëmbi i është drejtuar dy herë Gjykatës së Apelit, duke kundërshtuar masën e sigurisë të caktuar nga Shkalla e Parë, por kërkesat e tij janë rrëzuar. Vendimi i fundit i Gjykatës së Lartë vulosi përfundimisht qëndrimin e tij në paraburgim.
Sipas pretendimeve të tij, Gjon Shkëmbi nuk ka pasur dijeni për veprimet e nipit, Elvis Shkëmbi, i cili qëlloi për vdekje gjyqtarin Kalaja menjëherë pasi ky i fundit lexoi vendimin kundër tyre në një konflikt pronësie.
Autori nuk apeloi masën e sigurisë
Ndërkohë, Elvis Shkëmbi, 30 vjeç, i cili ndodhet gjithashtu në paraburgim, nuk ka ankimuar masën e sigurisë, duke pranuar që të vijojë të qëndrojë në qeli gjatë hetimeve.
Krimi që tronditi drejtësinë
Ngjarja e rëndë ndodhi më 6 tetor, pas përfundimit të një seance gjyqësore për një çështje pronësie në Shkodër, e shqyrtuar nga Apeli i Tiranës. Pas shpalljes së vendimit kundër palës së përfaqësuar nga Elvis dhe Gjon Shkëmbi, Elvis Shkëmbi nxori armën dhe qëlloi tre herë në drejtim të gjyqtarit Astrit Kalaja, duke e goditur në gjoks dhe lënë të vdekur në vend.
Gjatë të njëjtës ngjarje, mbetën të plagosur edhe babë e bir, Rakip dhe Ervis Kurtaj, pala tjetër në procesin gjyqësor.














