Një informacion i mbërritur në redaksinë e Tempull.com në orët e para të 16 tetorit ngre pikëpyetje mbi gatishmërinë e Forcave të Armatosura. Pak orë më vonë, ambasadori amerikan Eric Wendt u takua me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Arben Kingji. A mund të kenë lidhje këto dy zhvillime?
Në orën 02:15 të datës 16 tetor 2026, një burim i Tempull.com brenda Forcave të Armatosura i përcolli redaksisë një informacion që, për shkak të ndjeshmërisë së tij, u trajtua me kujdes përpara se të vendosej nëse duhej bërë publik. Sipas burimit, brenda strukturave ushtarake ishte dhënë një urdhër për të qenë në gatishmëri. Mesazhi i mbërritur në redaksi ishte: “Na kanë thënë tani që do dalim në rrugë vetëm nëse bie shteti dhe se duhet të jemi në gatishmëri”.
Tempull.com hezitoi ta publikonte menjëherë informacionin, pasi bëhej fjalë për një zhvillim me rëndësi të mundshme për sigurinë dhe situatën politike në vend. Deri në këtë moment, redaksia nuk disponon konfirmim të pavarur për ekzistencën, përmbajtjen dhe arsyen e urdhrit të pretenduar.
Por zhvillimet e orëve në vijim shtuan pikëpyetjet. Pak orë pas mbërritjes së këtij informacioni në redaksi, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Eric Wendt, zhvilloi një takim me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjenerallejtënant Arben Kingji. Takimi u bë publik përmes një njoftimi në rrjetet sociale, ku u përmendën bashkëpunimi strategjik në fushën e mbrojtjes, modernizimi i kapaciteteve ushtarake dhe forcimi i sigurisë kombëtare e kolektive.
A ishte ky një takim i zakonshëm diplomatik apo në të mund të jetë diskutuar edhe situata e brendshme dhe gatishmëria e strukturave ushtarake?
Nuk ka të dhëna publike që të provojnë një lidhje të drejtpërdrejtë mes informacionit të mbërritur në Tempull.com dhe takimit mes ambasadorit amerikan dhe Shefit të Shtabit. Megjithatë, përputhja kohore mes dy zhvillimeve ngre një pyetje legjitime që meriton sqarim. Nuk mund të përjashtohet mundësia që informacioni për situatën dhe urdhrin e pretenduar të gatishmërisë të ketë mbërritur edhe te përfaqësuesit amerikanë, përmes kanaleve të tyre diplomatike dhe të bashkëpunimit në fushën e sigurisë. Por, në mungesë të provave, kjo mbetet një hipotezë dhe jo një fakt i konfirmuar. Një tjetër element që kërkon vëmendje është se, për takimin, u publikua një njoftim i shkurtër në rrjetet sociale nga pala ushtarake, pa u bërë publike hollësi të tjera që të lejonin të kuptohej nëse diskutimet ishin kufizuar vetëm te bashkëpunimi i zakonshëm në fushën e mbrojtjes. Tempull.com nuk pretendon se takimi u zhvillua për shkak të informacionit të marrë nga burimi i saj. Por redaksia e konsideron të rëndësishme të evidentojë kronologjinë dhe të kërkojë sqarime nga institucionet përkatëse. Çfarë nënkuptonte urdhri i pretenduar për gatishmëri? Për cilën situatë ishte dhënë? A ishte një masë rutinë apo lidhej me zhvillime konkrete? Dhe a u diskutua ndonjë çështje e tillë në takimin mes ambasadorit amerikan dhe Shefit të Shtabit?
Lexo edhe
Pas protestave, Rama viziton dyqanet e dëmtuara: Bizneset të regjistrojnë dëmet në e-Albania














