Një varkë që transportonte emigrantë dhe refugjatë është përmbysur dhe fundosur pranë ishullit italian Lampedusa, duke shkaktuar panik dhe një operacion të madh kërkim-shpëtimi nga autoritetet italiane.
Sipas autoriteteve në Itali, menjëherë pas incidentit u aktivizuan patrullat e policisë financiare dhe të rojës bregdetare, të cilat me motoskafët e tyre arritën të shpëtonin 64 persona nga deti.
Megjithatë, një djalë dyvjeçar rezulton ende i zhdukur. Fëmija kishte nisur udhëtimin e rrezikshëm drejt Evropës së bashku me nënën e tij nga Sierra Leone në Afrikë.
Operacionet e kërkimit vijuan deri vonë gjatë natës dhe rifilluan sërish në agim, me shpresën për të gjetur të miturin e zhdukur.
Sipas të dhënave të fundit, vetëm gjatë 48 orëve të fundit në ishullin Lampedusa kanë mbërritur gjithsej 292 emigrantë dhe refugjatë. Shumica e mjeteve lundruese me të cilat ata udhëtonin janë nisur nga brigjet e Libya, një nga pikat kryesore të nisjes së emigrantëve drejt Europës.















