Advertisement

Një konflikt i shoqëruar me përdorimin e armës së zjarrit ka ndodhur mesditën e kësaj të premteje në fshatin Shkallnur të Durrësit. Në ngjarje dyshohet se është përfshirë edhe një person i shpallur në kërkim nga SPAK.

Sipas Policisë së Durrësit, rreth orës 15:00, 36-vjeçari me inicialet E. Gj. është konfliktuar për motive të dobëta me dy persona të tjerë.

Reklame

Gjatë përplasjes, ai dyshohet se është goditur me sende të forta, konkretisht me qytën e një pistolete. Autorët e dyshuar janë identifikuar me inicialet D. T., 41 vjeç, dhe G. M., 27 vjeç. Të dy janë banues në Shkallnur dhe pas ngjarjes janë larguar me automjet.

Sipas raportimeve, D. T. është Denis Tafili, i shpallur në kërkim nga SPAK dhe i dyshuar si pjesë e një grupi kriminal të hetuar për trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash.

Dyshohet se u qëllua me armë në ajër

Në vendngjarje, grupi hetimor ka gjetur dhe sekuestruar një gëzhojë pistolete. Policia dyshon se gjatë konfliktit është qëlluar një herë me armë zjarri në ajër.

Në përplasjen e ndodhur në Shkallnur dyshohet se është përfshirë edhe një punonjës policie, i cili ka qenë jashtë shërbimit.

Bëhet fjalë për inspektorin me inicialet L. Xh. Ai është shoqëruar nga autoritetet. Ndaj tij po kryhen veprimet procedurale nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.

Policia rrethon zonën

Pas ngjarjes, forca të shumta policie kanë rrethuar zonën. Gjithashtu janë ngritur pika kontrolli për lokalizimin dhe kapjen e personave të dyshuar.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave. Hetuesit po verifikojnë edhe rolin e secilit person të përfshirë në konflikt.

Tafili, pjesë e hetimeve të SPAK

Denis Tafili dyshohet se është pjesë e grupit kriminal të drejtuar nga Elvis Doçi. Prokuroria e Posaçme ka përfunduar më herët hetimet ndaj anëtarëve të këtij grupi.

Sipas hetimeve të SPAK, anëtarët e grupit akuzohen për trafik ndërkombëtar kokaine, grup të strukturuar kriminal dhe pastrim parash.

Gjatë operacionit të përbashkët me autoritetet italiane, të njohur si “Ura”, janë sekuestruar miliona euro cash dhe pasuri me vlerë të konsiderueshme. Hetimet kanë përfshirë edhe kompani, restorante, agjenci imobiliare dhe prona të dyshuara se ishin financuar me të ardhura nga aktiviteti kriminal.

Ngjarja e sotme në Shkallnur ka ngritur pikëpyetje të reja për lëvizjen e personave të shpallur në kërkim dhe për rrethanat në të cilat një prej tyre dyshohet se është përfshirë në një konflikt të armatosur në mes të ditës.

Durrës/Policia kontrolle për zhurmat në zonat turistike, matjet brenda kufijve të lejuar

Policia Rrugore në aksion, mbi 4 mijë masa administrative në 24 orë

Reklame