Një ngjarje e rëndë është regjistruar në fshatin Portëz të Fierit, ku një 40-vjeçar është gjetur i pajetë brenda banesës së tij, i qëlluar me armë zjarri.
Viktima është identifikuar si Taulant Bajram Halka, i datëlindjes 7 janar 1986, lindur në Korçë dhe banues në Portëz. Ai ishte punëtor ndërtimi dhe baba i dy fëmijëve.
Sipas të dhënave paraprake, 40-vjeçari dyshohet se ka kryer vetëvrasje me armë gjahu tip “çifte” në dhomën e gjumit. Mësohet se arma ishte në pronësi të babait të tij dhe posedonte leje të rregullt.
Burime nga policia bëjnë me dije se viktima jetonte prej kohësh në Vlorë, ndërsa kohët e fundit ishte kthyer në banesën e prindërve në Portëz. Dyshohet se ai përjetonte gjendje të rënduar psikologjike, ndërsa raportohet edhe për konflikte me bashkëshorten, e cila kishte kërkuar urdhër mbrojtjeje.
Autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes, ndërsa paraprakisht pista kryesore mbetet ajo e vetëvrasjes.













