Advertisement

Seanca parlamentare e kësaj të mërkure është përfshirë nga tensione të forta, debate dhe përplasje fizike, pas një propozimi të kreut të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, për të mbajtur një minutë heshtje në nder të 4 viktimave të 2 prillit në Shkodër.

Deklarata e Ballës u kundërshtua menjëherë nga opozita, e cila e cilësoi atë si provokim politik. Nën drejtimin e Flamur Nokës, deputetët e opozitës bllokuan foltoren, duke ndërprerë punimet e Kuvendit dhe duke rritur tensionin në sallë.

Reklame

Në mes të kaosit, socialistja Bora Muzhaqi tentoi të marrë fjalën, por u pengua nga deputetja e PD-së, Elda Hoti, çka solli një përplasje të drejtpërdrejtë mes kësaj të fundit dhe Taulant Ballës. Situata degradoi deri në ndërprerjen e seancës.

Pushimi nuk e qetësoi situatën. Përkundrazi, sipas pretendimeve, tensionet kaluan edhe në përplasje fizike jashtë transmetimit live. Flamur Noka goditi me shishe uji Ballën, duke e akuzuar për ofendime dhe kërcënime ndaj deputetëve të opozitës. Madje, ai i është drejtuar Ballës me tone të ashpra: “Do të të rrjep si kec…”.

Pas rikthimit në seancë, situata mbeti e tensionuar. Balla u rrethua nga efektivët e Gardës, ndërsa opozita vijoi akuzat se ai kishte provokuar konflikt dhe kishte ofenduar deputetet gra. “Po e çoni Kuvendin në konflikt fizik”, deklaroi Gazment Bardhi.

Edhe tentativa për sqarim nga Balla, i cili tha se propozimi ishte kërkesë e deputetëve të Shkodrës në kuadër të 35-vjetorit të ngjarjes, nuk arriti të qetësojë situatën.

Tensionet kulmuan edhe me përplasje verbale mes Albana Vokshit dhe Bora Muzhaqit, ku debati degjeneroi në tone personale dhe ndërprerje të dytë të seancës.

Pas më shumë se dy orësh përplasje, Kuvendi u rikthye vetëm për të votuar rendin e ditës, i cili u miratua vetëm nga maxhoranca, pasi opozita braktisi sallën në shenjë proteste.

Mes projektligjeve të miratuara ishte edhe rizgjedhja e Denar Bibës në Autoritetin e Konkurrencës, ndërsa opozita deklaroi se roli i saj në Kuvend po tentohet të “zerohet”.

Reklame