Vijon operacioni policor i koduar “Stolen Line”, ku autoritetet në Tiranë kanë goditur një tjetër rast të trafikimit të automjeteve luksoze të vjedhura jashtë vendit dhe të futura për shitje në Shqipëri.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, pas një pune hetimore të zgjeruar, kanë identifikuar disa persona të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, duke proceduar penalisht dy prej tyre dhe shpallur në kërkim dy të tjerë.
Sipas hetimeve: Shtetasi S. C. është proceduar penalisht, pasi dyshohet se ka trafikuar një automjet tip “Jeep”, i vjedhur në Itali, me qëllim shitjen në Shqipëri.
Shtetasi E. Ç. është proceduar për trafikimin e një automjeti “Range Rover”, i rezultuar i vjedhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ndërkohë, janë shpallur në kërkim: E. J., i dyshuar për trafikimin e një automjeti “BMW”, i vjedhur në Gjermani;
R. R., i dyshuar për trafikimin e një automjeti “Seat Cupra”, i vjedhur në Itali.
Në kuadër të operacionit, policia ka sekuestruar katër automjete luksoze, me një vlerë totale që shkon rreth 200 000 euro, të cilat dyshohet se ishin futur në tregun shqiptar për t’u shitur në mënyrë të paligjshme.
Operacioni “Stolen Line” mbetet në zhvillim, ndërsa strukturat hetimore po punojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe për zbardhjen e plotë të kësaj skeme trafikimi ndërkombëtar.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.














