Gati tri dekada pasi trupat e civilëve shqiptarë u gjetën në lugun e fshatit Reçak në Kosovë, në Prishtinë nisi gjykimi për krimin që Beogradi zyrtar e mohon edhe sot.
Banka e të akuzuarve ishte e zbrazët.
Më shumë se 20 pjesëtarë të ushtrisë dhe policisë serbe, të cilët akuzohen në mungesë për masakrën e 42 personave, ndodhen në Serbi, tha gjyqtarja në fillim të procesit më 31 korrik.
Disa prej tyre janë anëtarë të partisë në pushtet në Serbi dhe mbajtës të dekoratave të larta shtetërore.
Të tjerë promovojnë publikisht atë që e quajnë “e vërteta për Reçakun”, gjeti Radio Evropa e Lirë (REL) pas analizimit të të dhënave dhe arkivave të disponueshme.
Dhjetë prej tyre e mohuan krimin ndaj civilëve shqiptarë në një film të transmetuar nga transmetuesi publik i Serbisë.
Zyrtarisht, ndaj tyre në Serbi nuk zhvillohet asnjë procedurë.
Aktakuza e ngritur nga Kosova e kundërshton drejtpërdrejt qëndrimin e Beogradit, i cili pretendon se masakra në Reçak ishte një “aksion legjitim policor”, gjatë të cilit u vranë pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Edhe pse vrasja e civilëve është konfirmuar nga disa organizata ndërkombëtare, përfshirë edhe Gjykatën në Hagë, autoritetet në Serbi vazhdojnë të përsërisin se krimi ishte i inskenuar.
Ministritë e Punëve të Brendshme, të Mbrojtjes dhe të Drejtësisë të Serbisë nuk iu përgjigjën pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me të akuzuarit, për të cilët është lëshuar fletëarrestim ndërkombëtar.
Pyetjeve nuk iu përgjigj as Prokuroria për Krime Lufte e Serbisë.
Çfarë ndodhi në Reçak?
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, pjesëtarë të ushtrisë dhe policisë serbe më 15 janar 1999, rreth orës 06:00 të mëngjesit, e rrethuan dhe më pas e granatuan fshatin Reçak, në komunën e Shtimes.
Më pas, ata hynë në fshat me autoblinda dhe kontrolluan shtëpi më shtëpi. Disa civilë u torturuan dhe u vranë në oborret e shtëpive, ndërsa të tjerë u dërguan në skajin e fshatit, ku u qëlluan me armë automatike.
Në aktakuzë thuhet se gjatë këtij operacioni të forcave serbe u vranë 42 persona të nacionalitetit shqiptar, të të dyja gjinive dhe të moshave të ndryshme, të cilët nuk kishin marrë pjesë në luftë.
Numri më i madh i viktimave u gjet në Kodrën e Bebushit mbi Reçak, ndërsa të tjerët u vranë brenda fshatit.
Të akuzuarit në tubimet e partisë në pushtet në Serbi
“Nuk ka arsye të kemi frikë, ne e dimë se kemi luftuar për shtetin tonë”.
Kështu u përgjigj Goran Radosavljeviq Guri, gjatë një paraqitjeje në Radio Televizionin e Serbisë (RTS) në janar të vitit 2024, kur u pyet nëse kishte frikë se mund të përfshihej në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Radio Evropa e Lirë nuk arriti të kontaktojë me të lidhur me fillimin e gjykimit në Prishtinë, ndërsa në deklaratat e mëhershme ai e kishte cilësuar krimin në Reçak si “një aksion policor të kryer në mënyrë të përkryer, gjatë të cilit u vranë terroristë të armatosur”.
Në kohën e masakrës, sipas aktakuzës, ai ishte ndihmëskomandant i Shtabit të Përgjithshëm për operacionet speciale në Kosovë.
Sot ai është anëtar i Partisë Progresive Serbe (SNS), merr pjesë në tubimet e partisë në pushtet dhe është i ftuar në televizione nacionale në Serbi.
Emri i tij përmendet në aktgjykimin e Tribunalit të Hagës kundër ish-shefit të Departamentit të Sigurisë Publike, Vllastimir Gjorgjeviq, ku identifikohet si një nga komandantët e forcave speciale të policisë në operacionin në Reçak.
Për lidhjet e tij me këtë dhe krime të tjera në Kosovë ka folur edhe Fondi për të Drejtën Humanitare, organizatë joqeveritare, por ai kurrë nuk është gjykuar.
Mohimi i krimit
Për masakrën në Reçak i pari foli shefi i atëhershëm i misionit vëzhgues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), William Walker, i cili e vizitoi fshatin një ditë pas krimit.
Sllobodan Millosheviqi, presidenti i atëhershëm i Republikës Federative të Jugosllavisë, urdhëroi që ai të largohej nga vendi, duke pretenduar se masakra nuk kishte ndodhur.
Përfaqësuesit e autoriteteve në Serbi mohuan akuzat për vrasjen e civilëve, duke pretenduar se bëhej fjalë për pjesëtarë të UÇK-së, të cilëve më pas u ishin veshur rroba civile.
Edhe sot ata e quajnë atë “krim të fabrikuar” dhe “gënjeshtër të madhe për shkak të së cilës NATO-ja bombardoi Serbinë”.
Masakrimi i civilëve shkaktoi një reagim të fuqishëm ndërkombëtar, që çoi në negociatat mes dy palëve në konferencën e Rambujesë në Francë.
Dështimi për të arritur një marrëveshje më pas çoi në bombardimin nga NATO-ja të objektivave ushtarake dhe policore në ish-Jugosllavi, dhe pas fushatës bombarduese lufta u ndal dhe forcat serbe u larguan nga Kosova.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë dënuar disa herë mohimin e masakrës në Reçak, duke theksuar se ky krim është “i dokumentuar mirë”. Shtetet e Bashkuara e lidhin atë me vrasjen e vëllezërve Bytyqi pas luftës në Kosovë, më 1999, për çka i është ndaluar hyrja në SHBA.
Kur në vitin 2019, Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan, përmes një rezolute, i kërkoi Serbisë ta zbardhë këtë krim, ai i tha Radios Evropa e Lirë se “nuk është i shqetësuar” dhe se nuk ka ndërmend të largohet nga partia në pushtet, SNS.
Pavarësisht presioneve ndërkombëtare dhe dyshimeve për përfshirje në krime lufte, të gjitha qeveritë e pasluftës në Serbi e trajtuan atë si një zyrtar policor me pozitë të lartë dhe me ndikim, duke i mundësuar avancim institucional dhe mbrojtje politike.
Pas ndryshimeve demokratike të vitit 2000, atij iu besua detyra për formimin e Xhandarmërisë dhe ishte komandanti i parë i këtij njësiti policor.
Ai u largua nga kjo detyrë në vitin 2004 me gradat më të larta dhe me disa dekorata.
Gjatë shënimit të Ditës së Xhandarmërisë në Serbi në vitin 2021, atij iu nda një mirënjohje “për bashkëpunim të suksesshëm”.Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Beograd reagoi duke thënë se, në vend të nderimeve, ai duhet të përballet me drejtësinë.
‘Gjurmë të pashlyeshme’ të ish-ndihmësministrit të Policisë
Në aktakuzën e Kosovës përfshihen ish-zyrtarë të lartë ushtarakë, policorë dhe të sigurisë të Serbisë.
Mes tyre është edhe ish-ndihmësministri i Punëve të Brendshme, Obrad Stevanoviq, i cili vdiq në Beograd në prill të vitit 2025.
Në fjalimin e tij në ceremoninë përkujtimore, ministri aktual i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiq, e quajti atë “hero”, i cili “ka lënë gjurmë të pashlyeshme” në histori.
Pas vdekjes së Stevanoviqit, në Kuvendin e Serbisë u hap një ekspozitë me titull: “Komandanti i Njësiteve Speciale të Policisë, gjenerali Obrad Stevanoviq”.
Gjatë luftës në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë, ai komandoi Njësitin Special të Policisë (PJP) të Departamentit të Sigurisë Publike./ REL
Lexo edhe:
Kosovë, caktohet më 6 gusht seanca konstituive e Kuvendit të ri
Mjeshtri, Robert De Niro, pranon të luajë në film për luftën e Kosovës














