Një përfaqësues i Arsenal F.C. ishte i pranishëm të shtunën në San Siro për të ndjekur nga afër derbin e Italisë mes Inter Milan dhe Juventus F.C., me vëmendje të përqendruar te talenti i ri, Francesco Pio Esposito.

Sulmuesi i lindur në vitin 2005 konsiderohet një nga asetet më premtuese të zikaltërve dhe brenda klubit shihet si pjesë kyçe e projektit afatgjatë. Drejtuesit e Interit kanë nisur tashmë procedurat për një zgjatje kontrate që pritet ta mbajë të lidhur me klubin deri në vitin 2031, duke blinduar një nga diamantët e akademisë.

Reklame

Interesimi i Arsenalit vlerësohet serioz dhe monitorimi i lojtarit ka qenë i vazhdueshëm në muajt e fundit. Klubi londinez po ndjek me kujdes zhvillimin e tij, në kuadër të strategjisë për të investuar në talente të reja me perspektivë afatgjatë.

Megjithatë, Inter Milan nuk ka ndërmend ta lejojë largimin e sulmuesit me lehtësi, sidomos në një moment kur interesimi nga klubet elitare europiane është në rritje. Zikaltërit janë të vendosur të mbrojnë Espositon nga ofertat e mundshme në merkaton verore dhe ta konsolidojnë si pjesë të projektit të tyre sportiv për vitet në vijim.

Reklame