Erion Veliaj ka refuzuar të paraqitet në Spitalin Memorial të Fierit për ekzaminimet paraprake dhe ndërhyrjen kirurgjikale në këmbë, ndërsa drejtori i Burgut të Fierit, Arben Qalliu, ka reaguar me akuza ndaj kryebashkiakut.

Sipas Qalliut, Veliaj e ka argumentuar refuzimin duke thënë se “nuk është gati”. Drejtori i burgut pretendon se, pas kërkesave të vazhdueshme për kryerjen e operacionit, kryebashkiaku ka ndryshuar qëndrim në momentin kur duhej të paraqitej në spital.

Reklame

Në reagimin e tij, Qalliu shprehet se çështja nuk lidhej me ndërhyrjen kirurgjikale, por me atë që ai e cilëson si “zhurmë dhe alibi” për të pretenduar se Veliaj nuk po merrte trajtimin e duhur nga institucionet shtetërore.“Pra, sot, pas një lumi kërkesash nga ana e Erion Veliajt se pse nuk po lejohej të kryhej ndërhyrja, po vetë ai refuzon ta kryejë ndërhyrjen, me motivacionin se nuk është gati!”, thuhet në njoftimin e drejtorit të Burgut të Fierit, Arben Qalliu.

Si u planifikua ndërhyrja kirurgjikale?

Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgimin e Fierit, ishte planifikuar t’i nënshtrohej ndërhyrjes kirurgjikale në këmbë më 23 nëntor. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve njoftoi se operacioni do të kryhej në Spitalin Memorial të Fierit dhe jo në Tiranë, siç kishte kërkuar kryebashkiaku.

Sipas Burgjeve, vendimi ishte marrë pas një konsultimi të zhvilluar më 18 nëntor në ambientet e paraburgimit të Fierit. Institucioni deklaroi se gjatë konsultës Veliaj nuk kishte shprehur kundërshtime për planifikimin e ndërhyrjes.

Po ashtu, Drejtoria e Burgjeve bëri të ditur se ishte dakordësuar mundësia që mjeku i përzgjedhur nga Veliaj të ishte i pranishëm gjatë operacionit. Atij i ishte ofruar mundësia që mjeku të merrte pjesë në konsultat dhe analizat paraprake më 22 nëntor, gjatë ndërhyrjes më 23 nëntor ose në të dyja ditët.

Veliaj kërkoi ndërhyrje në Tiranë

Kryebashkiaku ka akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe institucione të tjera se kanë penguar prej javësh operimin e tij. Dy ditë më parë, ai i drejtoi një letër publike ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, ku me tone ironike kërkonte leje për t’u operuar në Tiranë.

Veliaj ka kundërshtuar edhe më herët transferimin nga paraburgimi i Durrësit drejt Fierit, duke e cilësuar atë si vendim politik.

Tashmë, pas refuzimit të paraqitjes në Spitalin Memorial, pritet të shihet se si do të vijojë procedura për ndërhyrjen kirurgjikale dhe nëse do të ketë një vendimmarrje nga GJKKO-ja, së cilës Veliaj i është drejtuar për këtë çështje.

Lexo edhe

Nga Durrësi në Fier, zbulohet urdhri sekret për transferimin e Erion Veliajt (DOKUMENTI)

Veliaj refuzon të shkojë në spitalin e Fierit, çështjen e operacionit ia kalon GJKKO-së

Reklame