Kreu i opozitës, Sali Berisha, ka mbajtur një fjalim të ashpër në Foltoren e opozitës, ku ka krahasuar kryeministrin Edi Rama me presidentin e Venezuelës Nicolás Maduro, duke e quajtur atë “Ramaduro”.
Berisha u shpreh se një akt i fundit i presidentit amerikan Donald Trump, i cili sipas tij ka dërguar mesazhe të qarta ndaj regjimeve autoritare, ka sjellë “tmerr, terror dhe ngricë politike në Surrel”. Sipas Berishës, reagimi i Ramës ka qenë heshtja, duke theksuar se kryeministri ka mbyllur podkastin e tij dhe nuk ka reaguar publikisht.
Ai ironizoi edhe një artikull të publikuar nga mbështetës të kryeministrit, ku sipas tij Rama përpiqet të distancohet nga krahasimi me Maduron, duke argumentuar se Shqipëria nuk ka burime natyrore si Venezuela.
“Nuk është çështje nafte. Rama është Ramaduro sepse, njësoj si Maduro, ka shndërruar zgjedhjet në farsë elektorale dhe mandatet e tij qëndrojnë mbi krimin”, deklaroi Berisha.
Lideri i opozitës akuzoi Ramën për lidhje me krimin e organizuar dhe kartelet e drogës, duke pretenduar se qeveria kontrollon tregun e drogës në Europë përmes grupeve kriminale. Ai shtoi se Rama, sipas tij, ka përzënë nga Shqipëria rreth 40% të popullsisë, duke e krahasuar këtë me emigrimin masiv nga Venezuela nën regjimin e Maduros.
Berisha vijoi akuzat edhe në planin personal dhe financiar, duke ironizuar stilin e jetesës së kryeministrit dhe duke e akuzuar për abuzime me fondet publike dhe vjedhje masive përmes institucioneve shtetërore.
Në përfundim, Berisha deklaroi se Shqipëria ndodhet përballë një regjimi autoritar dhe se opozita do të vijojë përballjen politike kundër asaj që ai e cilëson si “narko-regjim”.














