Advertisement

Kryeministri dhe njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, zhvilloi këtë të dielë një takim me strukturat socialiste në Elbasan, në kuadër të turit “Punët e Shqipërisë”, ku u ndal tek procesi i integrimit europian, opozita dhe klima politike në vend.

Gjatë fjalës së tij në Asamblenë e PS-së, Rama deklaroi se shumica prej 83 mandatesh ka qenë vendimtare për avancimin e negociatave me Bashkimin Europian, ndërsa akuzoi opozitën se do ta kishte bllokuar procesin nëse mazhoranca nuk do të kishte votat e nevojshme në Kuvend.

Reklame

“Nga 27 ligje që kaluam në fund të janarit, 7 kërkonin 84 vota. Përfytyroni sikur ne të kishim 75 mandate dhe të tjerët të kishin molotovarët. Negociatat do të ishin bllokuar”, tha Rama.

Kryesocialisti ironizoi opozitën duke e cilësuar “katastrofë ambulante”, ndërsa shtoi se çdo pengesë politike do të kishte ndikuar drejtpërdrejt në rrugën europiane të vendit.

Sipas tij, Shqipëria ndodhet në fazën më të rëndësishme të procesit të integrimit, ku kërkohet përputhja e plotë e legjislacionit dhe standardeve shtetërore me ato të Bashkimit Europian.

“Nuk kemi qenë kurrë më afër realizimit të ëndrrës historike për anëtarësimin në BE. Por hapat e fundit janë edhe më të vështirët”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë komentoi edhe debatin për mediat dhe akuzat e opozitës për kontroll të informacionit, duke deklaruar se shumica e portaleve në vend janë kundër qeverisë.

“Nuk mund të flitet për media të kontrolluara nga pushteti kur 57% e portaleve janë kundër qeverisë”, deklaroi ai.

Rama u kërkoi socialistëve të ruajnë angazhimin politik dhe të jenë më pranë qytetarëve, duke theksuar se Partia Socialiste duhet të komunikojë më shumë për sfidat politike dhe sociale të vendit.

Ai shtoi se, pavarësisht klimës politike dhe sulmeve nga kundërshtarët, shumica socialiste mbetet e qëndrueshme dhe e fokusuar tek procesi i negociatave me Bashkimin Europian.

Reklame