Shoqata e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm u ka bërë thirrje sipërmarrësve në të gjithë Shqipërinë që t’i bashkohen protestës kombëtare të studentëve, e planifikuar për nesër, ditën e shtunë.

Përmes një deklarate, shoqata u kërkon bizneseve të ulin qepenat gjatë orarit të protestës, në shenjë solidariteti me studentët dhe qytetarët që prej ditësh janë në rrugë.

Reklame

Sipas përfaqësuesve të saj, situata aktuale nuk lidhet vetëm me kërkesat e studentëve, por edhe me të ardhmen e sipërmarrjeve, familjeve dhe fëmijëve shqiptarë.

Thirrje për mbështetje edhe me produkte dhe shërbime

Përveç uljes së qepenave dhe pjesëmarrjes në protestë, shoqata u ka kërkuar bizneseve që kanë mundësi të ofrojnë produkte dhe shërbime të nevojshme për protestuesit gjatë zhvillimit të tubimit.

Kreu i Shoqatës së Biznesit të Vogël dhe të Mesëm u ka bërë thirrje sipërmarrësve që të solidarizohen me të rinjtë dhe shoqërinë civile, duke e cilësuar angazhimin qytetar si të rëndësishëm përballë situatës aktuale.

“I bëjmë thirrje çdo sipërmarrësi të solidarizohet dhe të bashkohet me studentët, me shoqërinë civile dhe qytetarët shqiptarë që marrin pjesë në këto protesta. Kjo nuk është vetëm një çështje e sotme. Është një çështje që lidhet drejtpërdrejt me të ardhmen e biznesit tonë, me familjet tona dhe me fëmijët tanë”, thuhet në deklaratë.

Më tej, shoqata përsërit thirrjen që bizneset të mbyllin përkohësisht aktivitetin gjatë orarit të protestës dhe të kontribuojnë me produkte e shërbime, nëse kanë mundësi.

Thirrja vjen në një kohë kur protestat studentore kundër qeverisë vijojnë prej ditësh, ndërsa protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Lexo edhe

Pamjet pas zjarrit në Gjykatën e Lartë: Fasada e shkrumbuar, zyra të rrënuara dhe dëme në banka e biznese

E zënë poshtë materialet e rënda, humb jetën pronari i biznesit në Vlorë

Reklame