Operacioni i fundit i SPAK kundër një grupi të dyshuar kriminal të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të kokainës ka çuar në sekuestrimin e 491 pasurive me një vlerë të përllogaritur prej rreth 150 milionë eurosh.
Bëhet fjalë për një numër të madh pronash luksoze të shpërndara në disa nga zonat më të kërkuara turistike dhe urbane të Shqipërisë, duke përfshirë Tiranën, Durrësin, Lezhën, Shkodrën, Elbasanin, Dhërmiun dhe Sarandën.
121 prona të sekuestruara vetëm në Gjirin e Lalzit
Një pjesë e konsiderueshme e pasurive të vendosura nën sekuestro ndodhen në kompleksin turistik “Lalzi Marina Seaside” në Hamallaj.
Sipas të dhënave, janë sekuestruar 121 prona, përfshirë vila, apartamente, dublekse, vende parkimi dhe mjete të ndryshme, duke e kthyer këtë kompleks në një nga asetet më të mëdha të prekura nga operacioni.
Nën sekuestro edhe hotele luksoze
Mes pronave të bllokuara bie në sy edhe hoteli luksoz me pesë yje “Zig Zag” në Jalë, i ndërtuar në faqen e kodrës dhe i njohur si një nga strukturat turistike më të frekuentuara në bregdetin e jugut.
Po ashtu, nën sekuestro është vendosur edhe “Hotel Elisa” në Tiranë, i lidhur me brandin ndërkombëtar Melia.
Vila në rezidencat më elitare
SPAK ka vendosur nën sekuestro edhe vila dhe pasuri të tjera në disa prej rezidencave më të njohura në kryeqytet, përfshirë Diamond Hill dhe Astoria në zonën e Mjull-Bathores.
Hetimet dyshojnë se këto prona janë blerë ose investuar me të ardhura që burojnë nga aktiviteti kriminal i grupit.
Katër kompani nën hetim
Në qendër të hetimeve ndodhen edhe disa kompani që rezultojnë të lidhura me Isa Aliun, një nga personat e përfshirë në dosje.
Sipas dokumenteve hetimore, bëhet fjalë për shoqëritë:
- Aliu Road House
- Green Invest
- Seavieu Development
- A.R.H Security
Këto kompani operojnë në disa qytete të vendit dhe dyshohet se janë përdorur për investimin dhe qarkullimin e parave të përfituara nga aktivitetet kriminale.
Një nga sekuestrimet më të mëdha në historinë e SPAK
Me 491 pasuri të bllokuara dhe një vlerë që arrin në 150 milionë euro, operacioni konsiderohet si një nga goditjet më të mëdha të pasurive të dyshuara kriminale në Shqipëri.
Hetimet vijojnë paralelisht me procedurat për identifikimin e aseteve të tjera që mund të jenë fshehur brenda dhe jashtë vendit.















