Advertisement

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka zbardhur detaje të reja mbi arrestimin në Francë të Ermal Beqirit, i shpallur në kërkim ndërkombëtar në kuadër të hetimeve për dosjen e tenderave të AKSHI-t.

Sipas SPAK, ndaj Beqirit po zhvillohen hetime në kuadër të procedimit penal nr. 20/1 të vitit 2025, për një sërë veprash penale, mes tyre konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës, heqje e paligjshme e lirisë, shkelje e barazisë në tendera publikë, pastrim parash, grup i strukturuar kriminal dhe korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike.

Reklame

Sipas organit të akuzës, në dhjetor 2025, Gjykata e Posaçme caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për Ermal Beqirin dhe Ergys Agasin.

Pasi nuk u bë i mundur arrestimi i tyre në Shqipëri, SPAK kërkoi shpalljen e tyre në kërkim ndërkombëtar përmes Interpol Tiranës, ndërsa ndaj tyre u lëshua edhe njoftimi “Red Notice”.

Si u lokalizua Beqiri në Francë

Sipas njoftimit të SPAK, më 19 qershor 2026, prokurorët e posaçëm kontaktuan Shërbimin e Sigurisë së Brendshme (SSI) në Ambasadën Franceze në Tiranë, pasi kishin informacione se Ermal Beqiri ndodhej në territorin francez.

Pas këtij komunikimi, autoritetet franceze nisën hetimet në bashkëpunim me strukturat e specializuara të policisë gjyqësore, përfshirë Drejtorinë Kombëtare të Policisë Gjyqësore (DNPJ), Zyrën Qendrore për Luftën kundër Krimit të Organizuar (OCLCO) dhe Brigadën Kombëtare të Kërkimit të Personave në Kërkim (BNRF).

Hetimet konfirmuan praninë e Beqirit në Francë dhe çuan në identifikimin e disa pasurive që, sipas dyshimeve të autoriteteve, mund të kenë origjinë kriminale.

Mbi 2 milionë euro në llogari bankare dhe një kështjellë në Oise

Sipas SPAK, gjatë hetimeve financiare në Francë janë identifikuar:

  • llogari bankare me vlerë totale mbi 2 milionë euro;
  • dy apartamente;
  • një kështjellë në departamentin Oise, me vlerë të përllogaritur rreth 2.6 milionë euro;
  • automjete të ndryshme.

SPAK ka kërkuar nga autoritetet franceze sekuestrimin e këtyre pasurive në kuadër të hetimit penal.

Hetimet financiare pritet të vijojnë paralelisht me procedurat penale, me synim verifikimin e burimit të pasurive dhe, nëse provohet origjina kriminale e tyre, sekuestrimin dhe konfiskimin.

Gjatë kontrolleve të kryera në pronat e Beqirit, autoritetet franceze kanë sekuestruar gjithashtu sende që konsiderohen me interes për hetimin.

U arrestua pasi hyri me avion në zonën e kufizuar të centralit bërthamor

Sipas SPAK, hetimet e autoriteteve franceze mundësuan identifikimin e automjeteve që dyshohej se përdorte Beqiri. Kjo ndihmoi në ngushtimin e zonës së kërkimit dhe në lokalizimin e tij.

Arrestimi u krye më 24 korrik 2026, pasi Beqiri hyri me një avion të lehtë në hapësirën ajrore të kufizuar mbi centralin bërthamor të Penly-t.

Për shkak të shkeljes së hapësirës ajrore të kufizuar, ai u detyrua të ulej në aerodromin e Albert-it. Menjëherë pas uljes, autoritetet ligjzbatuese franceze e arrestuan.

Gjykata franceze vendosi mbajtjen e tij në paraburgim për qëllime ekstradimi drejt Shqipërisë.

Ndërkohë, SPAK ka dërguar zyrtarisht kërkesën për ekstradimin e Ermal Beqirit përmes Ministrisë së Drejtësisë.

Hetimet për këtë çështje vijojnë në të dyja vendet, ndërsa autoritetet shqiptare dhe franceze po bashkëpunojnë për procedurat e ekstradimit dhe hetimin e pasurive që dyshohet se burojnë nga aktiviteti kriminal.

SPAK bën me dije se hetimet financiare në Francë do të vijojnë me synim sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive, nëse gjatë procesit hetimor dhe gjyqësor do të provohet origjina e tyre kriminale.

 

 

Lexoni edhe:

Arrestohet në Francë Ermal Beqiraj, i kërkuar nga SPAK për dosjen “AKSHI”

Arrestimi i Beqirajt/ Tabaku: Nuk mjafton ndalimi i zbatuesve, duhet të hetohen ideatorët dhe miratuesit

Reklame