Deputetja e Partisë Demokratike dhe kryetarja e Komisionit për Çështjet Europiane, Jorida Tabaku, ka reaguar pas arrestimit në Francë të Ermal Beqirajt, i shpallur në kërkim ndërkombëtar në kuadër të hetimeve të SPAK për dosjen e AKSHI-t.
Në reagimin e saj, Tabaku deklaron se arrestimi i Beqirajt nuk u krye nga autoritetet shqiptare, por nga ato franceze, ndërsa e cilëson këtë si një dështim të institucioneve shqiptare.
“Një tjetër dështim i një shteti që dhunon qytetarët kur protestojnë, por mbyll sytë përpara të shumëkërkuarve që abuzojnë me paratë e shqiptarëve”, shkruan Tabaku.
Deputetja demokrate e lidh arrestimin e Beqirajt me hetimet për dosjen e AKSHI-t dhe pretendon se çështja duhet të shkojë përtej personave të arrestuar apo të shpallur në kërkim.
Sipas saj, hetimet duhet të përfshijnë edhe personat që ajo i cilëson si “ideatorë” dhe “miratues”, si dhe të gjithë ata që kanë pasur rol në autorizimin e buxheteve dhe pagesave.
Tabaku pretendon se dosja e AKSHI-t ngre dyshime për tenderë të paracaktuar dhe presion ndaj kompanive konkurruese, duke argumentuar se fondet publike janë vënë nën kontrollin e një grupi të kufizuar personash.
“Ermal Beqiri, Ergys Agasi dhe personat e tjerë të përfshirë nuk mund të trajtohen si raste të izoluara. Nuk mjafton ndalimi i zbatuesve. Duhet të hetohen ideatorët, miratuesit dhe të gjithë ata që kanë autorizuar buxhetet dhe pagesat”, shprehet ajo.
Deputetja e opozitës e konsideron këtë situatë si një problem që, sipas saj, ka dëmtuar konkurrencën dhe biznesin e ndershëm.
Në përfundim të reagimit, Tabaku ngre edhe përgjegjësi politike, duke ia atribuar kryeministrit Edi Rama përgjegjësinë për modelin e qeverisjes që ajo kritikon.
“Përgjegjësia politike shkon deri në majë. Arkitekti i këtij sistemi është Edi Rama dhe largimi i tij është hapi i parë drejt çmontimit të tij”, shkruan Tabaku.
Ndërkohë, hetimet për dosjen e AKSHI-t vijojnë nga SPAK, ndërsa Ermal Beqiraj ndodhet në Francë në pritje të procedurave gjyqësore që lidhen me kërkesën për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë. Akuzat dhe pretendimet e ngritura në kuadër të çështjes janë objekt i procesit hetimor dhe gjyqësor.
Lexo dhe:
Arrestimi i Ermal Beqirit në Francë, Policia jep detajet: Sot del para gjykatës për ekstradimin
Arrestohet në Francë Ermal Beqiraj, i kërkuar nga SPAK për dosjen “AKSHI”















