Një përplasje e fortë verbale ka ndodhur sot në emisionin “Me zemër të hapur” në News24 mes Blerina Bashës dhe ish-vjehrrës së saj, lidhur me akuzat se ajo ka braktisur tre fëmijët e saj të mitur, duke i lënë vetëm në një banesë me kushte të rënda higjieno-sanitare.
Ish-vjehrra e Bashës ka hedhur akuza të drejtpërdrejta ndaj ish-nuses, duke deklaruar se ajo nuk mund të justifikohet me mungesë të ardhurash, ndërkohë që, sipas saj, ka pasur para për shpenzime personale.
“Ajo thotë nuk kam lekë, por për të bredhur, për të bërë qerpikë, vetulla, thonj e flokë, a kishe lekë? More në qafë tri fëmijë, po më plas shpirti”, deklaroi ish-vjehrra gjatë transmetimit ‘live’.
Nga ana tjetër, Blerina Basha i ka mohuar kategorikisht akuzat për braktisje, duke theksuar se është kujdesur gjithmonë për fëmijët dhe se pretendimet ndaj saj janë të pavërteta dhe të orkestruara.
Ajo ka reaguar edhe ndaj fotove që kanë qarkulluar në media pas publikimit të rastit, duke mohuar se janë realizuar në Dubai dhe duke i cilësuar si të montuara përmes aplikacioneve.
“Janë foto të montuara. Po përballem me një lumë urrejtjeje. Fëmijët e mi nuk janë ushqyer kurrë me urrejtje ndaj babait apo gjyshes së tyre”, deklaroi Basha, duke shtuar se fëmijët kanë qëndruar për disa muaj në Itali për shkak të problemeve të saj me dokumentacionin.
Ajo akuzoi gjithashtu ish-bashkëshortin për ndikim negativ te fëmijët, duke pretenduar se ata janë nxitur të flasin me gjuhë fyese ndaj saj.
Nga ana tjetër, ish-vjehrra ka vijuar akuzat, duke deklaruar se për gati 10 muaj fëmijët kanë jetuar me të në Itali dhe se gjatë kësaj kohe nëna e tyre ka munguar për periudha të gjata.
“Ndoshta s’ka qenë në Dubai, por në Kosovë po. Nëse ke para për thonj e flokë, mos kërko ndihmë nga shteti”, u shpreh ajo, duke shtuar se fëmijët janë lënë në kushte të rënda jetese.
Rasti ka ngjallur reagime të shumta në publik dhe rrjete sociale, ndërsa pritet që institucionet përkatëse të verifikojnë situatën reale të fëmijëve dhe pretendimet e palëve.















