Advertisement

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë pas koncertit të Kanye West në Tiranë, duke e cilësuar ngjarjen si një moment me impakt ndërkombëtar për imazhin e Shqipërisë dhe ekonominë e vendit.

Në një reagim të gjatë të publikuar në rrjetet sociale, Rama mbrojti vendimin për organizimin e koncertit dhe shpenzimin prej 4 milionë eurosh, duke argumentuar se aktivitetet e mëdha kulturore nuk duhen parë vetëm si kosto, por si investime që krijojnë vlerë ekonomike.

Reklame

Sipas kryeministrit, koncerti nuk ishte vetëm një shfaqje muzikore, por një mundësi për të promovuar Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.“Mbrëmë Shqipëria nuk organizoi thjesht një koncert. Shqipëria organizoi një ngjarje që, falë kanaleve sociale dhe famës globale të protagonistit, u bë në çdo cep të botës një lajm”, shkroi Rama.

Ai kritikoi reagimet kundërshtuese ndaj eventit, duke thënë se prej vitesh çdo investim publik shoqërohet me të njëjtin debat për prioritetet ekonomike.“Zhvillimi nuk është një bukë me një madhësi fikse, ku çdo euro që ndahet për një koncert i hiqet një pensionisti, një të sëmuri apo një nxënësi”, u shpreh kryeministri.

Rama: Koncertet sjellin ekonomi dhe turistë

Kryeministri argumentoi se eventet ndërkombëtare ndikojnë në ekonomi përmes hoteleve, restoranteve, transportit, shërbimeve dhe bizneseve që përfshihen në organizim.

Sipas tij, një aktivitet i përmasave të tilla krijon:

  • të ardhura për bizneset lokale;
  • vende pune të përkohshme;
  • të ardhura për shtetin përmes taksave;
  • promovim ndërkombëtar për Shqipërinë.

Ai solli si shembull qytetet e mëdha europiane si Vjena, Londra, Parisi dhe Singapori, të cilat konkurrojnë për të organizuar evente të mëdha kulturore dhe sportive.“Pyetja e duhur nuk është: Sa kushton një aktivitet kulturor, por sa ekonomi gjeneron? Sa turistë tërheq? Sa investime frymëzon dhe sa prestigj ndërton?”, deklaroi Rama.

4 milionë eurot, Rama: Investim për të mos humbur besimin

Duke iu referuar shumës prej 4 milionë eurosh, Rama tha se ato para u përdorën për të garantuar zhvillimin e eventit pas presioneve dhe kundërshtive ndaj tij.“Ato 4 milion euro ishin investim i bërë në minutën e fundit për të shpëtuar investimin shumë më të madh për Shqipërinë, për ekonominë e Tiranës dhe për mijëra njerëz nga mbi 80 mijë vende të botës që i kishin prerë biletat për të ardhur këtu”, shkroi ai.

Rama pretendoi se anulimi i koncertit do të kishte krijuar një dëm më të madh ekonomik dhe do të ndikonte negativisht në perceptimin ndërkombëtar për Shqipërinë.

Kritika ndaj protestave online

Në reagimin e tij, kryeministri kritikoi gjuhën e përdorur në rrjetet sociale nga kundërshtarët e koncertit, duke e cilësuar si “fushatë bullizmi” dhe “histeri të dhunshme”.

Ai bëri dallim mes protestuesve paqësorë dhe atyre që, sipas tij, përdorin kërcënime dhe gjuhë agresive.“Kurrë nuk i kam paragjykuar ata qytetarë që dolën në protestë paqësisht, me bindjen se duan një Shqipëri më të mirë”, deklaroi Rama.

Rama: Pakënaqësitë tregojnë rritjen e pritshmërive

Në fund të reagimit të tij, kryeministri foli edhe për protestat dhe shqetësimet e qytetarëve, duke thënë se qeveria duhet t’i dëgjojë ato.

Sipas Ramës, zhvillimi i vendit ka rritur pritshmëritë e qytetarëve dhe detyra e qeverisë është të zvogëlojë hendekun mes arritjeve dhe kërkesave të tyre.

Ai tha se një grup i ngritur posaçërisht po mbledh shqetësimet e qytetarëve dhe do të përgatisë reflektime për problematikat e evidentuara.

Kryeministri Rama pret në kryeministri këngëtarin Kanye West

Rama reagon pas koncertit të Kanye West: “Një investim i shkëlqyer për Shqipërinë turistike”

Reklame