Unioni i Sindikatave ka zhvilluar këtë të martë një protestë para Ministrisë së Financave, duke iu bashkuar valës së protestave që prej 24 ditësh po mbahen në kryeqytet.
Gjatë tubimit, përfaqësuesit e sindikatave ngritën shqetësimet që lidhen me kushtet e punës, pagat, emigrimin e profesionistëve dhe mbrojtjen e të drejtave të punëmarrësve.
Në fjalimet e mbajtura gjatë protestës, sindikalistët theksuan se punonjësit në sektorë të ndryshëm përballen me paga të pamjaftueshme, pasiguri në vendin e punës dhe mungesë të mbrojtjes së të drejtave sindikale.
Protestuesit paraqitën pesë kërkesat kryesore drejtuar qeverisë:
- Më shumë investime në shërbimet publike;
- Paga të drejta dhe kushte dinjitoze pune;
- Mbrojtjen e vendeve të punës dhe të drejtave sindikale;
- Ndalimin e largimit të profesionistëve nga vendi;
- Një tranzicion dixhital të drejtë që respekton të drejtat e punonjësve.
Përfaqësuesit e Unionit të Sindikatave deklaruan se këto kërkesa lidhen drejtpërdrejt me mirëqenien e punëmarrësve dhe të ardhmen e tregut të punës në vend.














