Gjykata e Durrësit ka caktuar mesditën e kësaj të shtune masat e sigurisë për 8 zyrtarët e Burgut të Durrësit, të arrestuar pas arratisjes së Altin Ndocit.
Tre prej zyrtarëve do të qëndrojnë në burg, dy të tjerë do të jenë nën arrest shtëpie, ndërsa tre të tjerët do të kenë detyrim paraqitjeje:
Komisar Dezdemon Pazaj – Arrest në burg
Komisar Violeta Uka – Arrest në shtëpi
Kryeinspektor Dorjan Saraçi – Detyrim paraqitjeje
Inspektor Sali Ferrollari – Arrest në burg
Inspektor Fatjon Braçi – Arrest në burg
Inspektor Preng Marvataj – Detyrim paraqitjeje
Kryeinspektor Aranit Çela – Detyrim paraqitjeje
Kryeinfermier Aulon Quku – Arrest në shtëpi
Një ditë më parë, gjykata kishte vendosur masën “arrest në burg” për ish-drejtorin e IEVP Durrës, Indrit Cërloj, dhe “arrest në shtëpi” për mjeken e burgut, Ylfete Sema.
Si ndodhi arratisja:
Altin Ndoci ishte shoqëruar nga paraburgimi i Durrësit për në spitalin rajonal për një vizitë mjekësore te infektivi, në katin e tretë të spitalit, ku ndodhet edhe reparti i sigurisë për të dënuarit.
Nga burgu drejt spitalit, Ndocin e kanë shoqëruar pesë policë – dy brenda spitalit dhe tre jashtë makinës së eskortës. Gjatë vizitës, Ndoci kërkoi të shkojë në tualet dhe një polic e shoqëroi. Në momentin kur doli nga tualeti, ai goditi dy efektivët në bark dhe i shtyu, duke përfituar për t’u larguar me shpejtësi nga kati i tretë i spitalit.
Hetimet vijojnë për të zbardhur rolin e çdo zyrtari dhe mënyrën se si ndodhi ikja spektakolare e të dënuarit.















