Një shtetas shqiptar është dënuar me 18 muaj burg nga Gjykata Mbretërore e Lidsit në Mbretërinë e Bashkuar, pasi u shpall fajtor për kultivim kanabisi në një banesë të përshtatur si “shtëpi bari” në zonën Beeston të qytetit. Në objekt u zbuluan 184 bimë kanabisi në faza të ndryshme rritjeje.
Sipas mediave britanike dhe dokumenteve gjyqësore, policia ndërhyri në një banesë në Linden Avenue pas dyshimeve të ngritura nga një erë e fortë kanabisi që dilte nga prona. Gjatë afrimit të efektivëve, 36-vjeçari shqiptar, Arqile Voci, tentoi të largohej me vrap, por u ndalua dhe u arrestua në vendngjarje.
Kontrolli i banesës zbuloi se ambienti ishte shndërruar në një strukturë të plotë për kultivimin e drogës. Dy dhoma gjumi, papafingoja dhe bodrumi ishin përshtatur me pajisje të specializuara, përfshirë llamba ndriçimi, ventilatorë dhe sisteme filtrimi ajri.
Në total, policia gjeti 184 bimë kanabisi në faza të ndryshme zhvillimi, ndërsa gjurmë gishtash të të pandehurit u raportuan në vazot e bimëve. Autoritetet britanike thanë se ai kishte jetuar në atë banesë për disa muaj.
Gjatë seancës gjyqësore, Voci pranoi akuzën për kultivim kanabisi. Ai deklaroi se kishte hyrë ilegalisht në Britani rreth shtatë muaj më parë me një gomone, me qëllim gjetjen e punës dhe mbështetjen e familjes në Shqipëri.
Mbrojtja ligjore argumentoi se 36-vjeçari ishte në vështirësi ekonomike dhe kishte hyrë në borxhe, çka e kishte shtyrë të pranonte punë të rastësishme dhe më pas angazhimin në kultivimin e kanabisit. Avokatja e tij theksoi gjithashtu se ai është i martuar dhe baba i dy fëmijëve.
Gjykata e Lidsit, me vendim të gjyqtarit Kama Melly, e dënoi shqiptarin me 18 muaj burg.














